Showing posts with label resistance in Albania. Show all posts
Showing posts with label resistance in Albania. Show all posts
Tuesday, May 8, 2012

Chronicle of a tragic journey

“Erdh koha me u nisë! Ata që kanë me mbetë gjallë, i këshilloj mos me e harrue Shqipninë. Kudo që t’shkojmë duhet t’punojmë për të. Do vijë dita me u kthye prap e do jemi të lirë...”. ("It's time for us to leave! Those who will survive, I advise not to forget Albania. Wherever we end-up, we should devote ourselves to it. The day to return will come and we'll be free...".)


A comment about the book, “With Muharrem Bajraktari, towards Greece…,” by Neshat H. Bilali
By Petrit Palushi

A good part of the contents of the book were published five years ago; this publication comes as a completed version, notably on the 65th anniversary of the journey. It relates to a march in 1946 (August 25-September 13), of 56 nationalist fighters, most of them from (Albanian’s) Luma area and other northern districts, toward Greece. Author’s both books, “Me Muharrem Bajraktarin, drejte Greqise…” and ”Shenime per historine: 1945-1955”, are a homage to the sacrifice of Albanian nationalism, an anthem of praise for the nationalist resistance and its survival; as such, the books have significant historical value.

Continues on page 3

Shënime për librin “Me Muharrem Bajraktarin, drejt Greqisë…”, të Neshat H. Bilalit
PETRIT PALUSHI

Pjesa më e madhe e shënimeve të librit “Me Muharrem Bajraktarin, drejt Greqisë…”, të Neshat H. Bilalit, u botuan pesë vjet më parë; botimi i librit vjen si variant i plotësuar, pikërisht në 65-vjetorin e atij udhëtimi. Është fjala për udhëtimin në vitin 1946 (25 gusht-13 shtator), të 56 nacionalistëve, kryesisht nga Luma dhe vise të tjera të Veriut, drejt Greqisë. Kësisoj, shënimet në librin “Me Muharrem Bajraktarin, drejt Greqisë…”, të Neshat H. Bilalit dhe në librin tjetër të këtij autori “Shënime për historinë: 1942-1955″, janë një homazh për sakrificën e nacionalizmit shqiptar, janë një këngë krenarie për qëndresën dhe mbijetesën e tij; si të tilla, ato vijnë si një vlerë historike.
1. Neshat H. Bilali, autori i shënimeve që botohen në librin “Me Muharrem Bajraktarin, drejt Greqisë…”, shfaqet si një kronikan, si një rrëfimtar i çuditshëm dhe si një dëshmisjellës krejt i veçantë për një udhëtim të pazakontë që u krye rreth 65 vjet më parë.
Përmes një kujtese të freskët, thuajse të tejkthjellët, ai sjell dëshmi të forta si për të rindërtuar odisejadën e një udhëtimi tragjik, ku qe shuar krejt kufiri ndërmjet jetës dhe vdekjes.
N’atë udhëtim, nëse një ditë a një natë i ruante ende të gjallë udhëtuesit, ditët e netët që vinin përmbas shtonin ankthin dhe mund t’i tërhiqnin lehtas në krahët e vdekjes. Me plot të drejtë studiuesi Peter R. Prifti (SHBA), ka shënuar se, “Përshkrimi për arratisjen e grupit të Bajraktarit nga Shqipëria në Greqi, ka karakterin e një drame të rrojtur, me ngjarje heroike, por edhe tragjike”.
Ç’ishin ata njerëz (personazhe realë në shënimet e Neshat H. Bilalit), që lanë vendlindjen, të afërmit e tyre dhe u nisën në shtegtimin e tyre të gjatë nëpër botë? Në një emigrim të zakonshëm apo në diçka krejt të tjetërsojtë? Atëherë, këta njerëz qenë të tepërt në vendin e tyre sa të merrnin një udhëtim të tillë tragjik?
Këtyre pyetjeve dhe të tjerave të pashpallura më sipër sikur kërkon t’u japë përgjigje Neshat H. Bilali në librin e vet.
Po të shihen me vëmendje ngjarjet që rrodhën mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kur, në pjesën më të madhe të vendeve t’Europës, pati nisur me entuziazëm shërimi i plagëve, në Shqipëri, mund të thuhet se fati i nacionalistëve në një farë forme sikur qe paracaktuar. Ndërkaq, egërsia e pushtetit të ri komunist nisi të shfaqej në formën më të dukshme ndaj atyre elementëve që s’pajtoheshin apo e kundërshtonin atë regjim. Pushteti i ri kërkonte të shuhej edhe forma më e lehtë e reagimit ndaj tij dhe të realizohej kryekreje ambicia mëse sunduese. Afërmendsh, përndjekja ndaj Muharrem Bajraktarit (një prej reaguesve të njohur ndaj obskurantizmit apo feudalisë komuniste), është forma më e tejskajshme e një pushteti që kërkonte të ndërtonte një Shqipëri pa ata njerëz që nuk nënshtroheshin dhe s’u bindeshin ligjeve moderne në dukje, por thellë-thellë ato ligje ruanin brenda për brenda primitivizmin.
Mu atëherë kur përndjekjet ndaj forcave nacionaliste u shumuan, nën drejtimin e Muharrem Bajraktarit, një shpurë prej 56 vetësh mori udhëtimin e vështirë drejt Greqisë, të sistemoheshin për do kohë aty dhe në rastet më të mundshme të shpërndaheshin në vende të ndryshme t’Europës, madje dhe deri n’Amerikë. Me një shpresë se edhe ata do të kontribuonin sadopak që Shqipëria dhe Kosova të futeshin në rrjedhën qytetëruese. Me një shpresë se do të ktheheshin në një kohë më t’afërt, në një Shqipëri dhe një Kosovë normale, ku liria të mos qe tashmë një iluzion, por një forcë vepruese. Krejt natyrshëm, shpresa sikur ua lehtonte udhëtimin, ua pakësonte vuajtjet, ua rigjallëronte forcat. Fjalët e kreut të udhëtimit, të njohurit Muharrem Bajraktari, që vijnë përmes dëshmisë së Neshat H. Bilalit, janë gjithsesi shfaqja më e dukshme e një parandjenje se udha e tyre do t’ish e vështirë, por janë dhe fjalët e një shpresëdhënësi të madh, të një rigjallëruesi të forcave të atyre njerëzve, të cilët, megjithëse po zhyteshin në humnerën e një udhëtimi, sikur shihnin dritë, sikur shihnin shpresë.
“Erdh koha me u nisë! Ata që kanë me mbetë gjallë, i këshilloj mos me e harrue Shqipninë. Kudo që t’shkojmë duhet t’punojmë për të. Do vijë dita me u kthye prap e do jemi të lirë. Na qoftë udha e mbarë!”.
Por fati veproi tragjikisht me një pjesë prej tyre. Do kohë më pas largimit, thuajse pa kaluar as gjysmë ore, një shi i rrebeshtë sikur qe e parathëna e një tragjedie t’atij udhëtimi. Të tjerët që mundën ta kapërcenin ferrin, ngadalë-ngadalë u shpërndanë nëpër botë ku gjetën strehë dhe u bënë pjesë integruese e atij qytetërimi. Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova do të vazhdonin të vuanin mungesën e gjatë të lirisë: Shqipëria qe zhytur në diktaturën komuniste, ndërsa Kosova qe nën sundimin ushtarak serb, ku do të shqitej prej tij vetëm në qershor të 1999-s.
2. N’ato kushte të udhëtimit tragjik, qe afërmendsh se asnjë prej pjesëmarrësve nuk mund të mbante shënime. Por qe një kohë e asillojtë, sikur qe shuar edhe ëndërrimi i atyre njerëzve, të cilët n’ato ditë e net kërkonin vetëm të mbeteshin gjallë. Mu atëherë, pra vdekja trokiste në qiell të haptë dhe sikur kërkonte të merrte ata shtegtarë të jetë-vdekjes, t’i bënte banorë të përhershëm të saj, ashtu siç mori, ndërmjet njëzetenjë të tjerëve edhe tre vëllezërit nga Podrimja: Asllan, Latif dhe Zyber Radosta.
Prandaj shënimet për atë odisejadë heroiko-tragjike janë hedhur më vonë prej Neshat H. Bilalit (Disa shënime të shkurtra janë botuar nga Miftar Spahija, Tafë Pervizi, Adem Gjurra).
Dëshmia më e plotë për atë udhëtim pa dyshim që vjen nga autori i këtij libri.
Autori i librit “Me Muharrem Bajraktarin, drejt Greqisë… “, dëshmon se vetëm kur mbërrinë në Greqi nisën të bënin bilancin e atij udhëtimi. N’atë bilanc të parë rezultonin 22 të vrarë. Patën një farë shprese se ndoshta ndonjëri edhe mund t’ish strehuar dikund dhe ndonjë ditë mund të shfaqej para syve të tyre, por ajo shpresë e tyre u rrëzua shpejt. Në listën e të vrarëve fillimisht patën rendit edhe Bajramin, të vëllanë e M. Bajraktarit. Më vonë do të mësonin se qe plagosur n’atë udhëtim dhe forcat policore e kishin dërguar për shërim në një spital të Shkupit. Fati i mëpastajmë i Bajram Bajraktarit tashmë dihet (e sjellin në Shqipëri dhe në vitin 1949 e pushkatojnë në Zallin e Kirit, Shkodër).
Pra, n’atë udhëkalim, mbetën përfundimisht 21 të vrarë. Vendndodhja e varreve të tyre s’u mësua kurrë ndonjëherë, siç s’u mësua as për varrin e Bajram Bajraktarit.
Neshat H. Bilali dëshmon natyrshëm, rrëfen një histori tronditëse mbi fatin e 56 shtegtarëve në emër të jetës, në emër të lirisë. Rrëfimi është i qetë, shpeshherë solemn. Neshat H. Bilali sikur kërkon të ngulmojë që një ngjarje e tillë të mos anashkalohet, por të regjistrohet në histori. Një ngjarje e tillë ka të bëjë me qëndresën e nacionalizmit, për fate njerëzore, tek e mbramja, me një dëshmi të pakontestueshme për historinë tonë.
3. Shënimet që botohen në librin e Neshat H. Bilalit, kanë një vlerë të disafishtë.
Së pari, janë dëshmi historike për një kohë të trazuar. Ato ndriçojnë përmasat e rezistencës së atyre njerëzve, të cilët u përpoqën të shpërfillnin izolimin, përndjekjet dhe të bënin ç’ish e mundshme që vendi të mos përfshihej nën shkretimin komunist.
Së dyti, rigjallërojnë ndërgjegjen njerëzore për një kohë të mbi gjashtë dekadave më parë, ku mësymja-absurd e pushtetarisë komuniste ndaj forcave të nacionalizmit pati kapërcyer edhe vetë kufijtë e imagjinatës njerëzore.
Së treti, për nga mënyra e rrëfimit mund të përfshihen lehtas në rrafshin e publicistikës.
Më së fundi, është e rëndësishme të thuhet se shënimet që botohen në këtë libër janë të shkruara nga njëri prej atyre pjesëmarrësve të forcave të nacionalizmit, i cili, ato ngjarje i sheh me realizëm dhe me një ftohtësi të admirueshme, raste këto, të pakta në fushën e kujtimeve.
Libri i Neshat H. Bilalit, pra, është një shfaqje e dukshme e dëshirës dhe e përpjekjeve për t’u regjistruar të vërtetat historike vetëm si të tilla dhe kësisoj ky libër botohet absolutisht vetëm si i tillë.
Ky libër, gjithashtu, sikur kërkon të shkundë atë indiferencë të shoqërisë sonë se çfarë ka ndodh realisht n’ato vite, kur primitivizmi i një pushteti, në vetëshfaqje i ri, mbërrinte pothuajse deri në kufijtë e absurdit.