Disa fjalë si hyrje. Në këto kohët e fundit doli nga shtypi libri “Muharrem Bajraktari - monografi”, shkruar nga studjuesi Nazif Dokleja dhe botuar në Tiranë më 2014. Ai përbëhet prej 300 faqesh të formatit mesatar. Një kopje, me mbishkrimin “Z. Esat Bilali miqësisht” iu dërgua, për çfarë ai e falënderon atë po ashtu miqësisht
Librin e mora me pandehje dhe e lexova me interesim, madje disa herë. Atë e gjeta interesant dhe informues jo vetëm për disa gjëra që nuk diheshin, por edhe për konfirmimin e mëtejshëm të disa të tjerave. Si i këtillë, libri i studjuesit N. Dokles jo vetëm meriton të lexohet, por edhe të rilexohet, sepse bëhet fjalë për atdhetarinë e pastër. Pikërisht për këto vlera, vendosa ta vështroj atë, për më tepër sepse sa doja që t’i shquaja arritjet e N. Dokles, po aq doja që të hidhja pak dritë mbi ndonjë çast, që në këso rastetesh të përbëra shkaktuar nga e keqja shqiptare, sidomos për jetën dhe veprën atdhetare të M. Bajraktarit, mund t’i shpëtojnë edhe studjuesit më të zhdërvjelltë.
Shumë është shkruar për M. Bajraltarin
Sikur që dihet tashmë, janë shkruar shumë artikuj, shumë studime dhe shumë libra si për atdhetarin Muharrem Bajraktarin në veçanti, ashtu edhe për rrethanat në të cilat ai ka vepruar në përgjithësi. Po të gjitha ato që janë shkruar gjer tani, nuk kanë qenë shumë përfshirëse. Këtë edhe autori e vë në dukje, duke thënë: “Megjithë këto na duhet të pohojmë se njohja e Muharrem Bajraktarit është e fragnebtuar si e tillë, e pa ndriçuar në tërësinë dhe dimensionin e saj real para opinionit publik, lexuesve dhe studjuesve”. Prandaj studjuesi N. Dokleja e spërhellë penën dhe, i armatosur me një zell të madhe prej studjuesi me përvojë, vendosë ta ndriçojë më tej tërë jetën e shtetarit, atdhetarit dhe trimit legjendar shqiptar nga Luma, Muharrem Baraktarit, me një studim të hollsishëm shkencor – monografi. Kështu, librri i tij jo vetëm është i veçantë, por edhe është më i ploti, më i thelluari dhe më përfshirësi dhe i shkruar më me logjikë të trurit se të gjithë të tjerët. Kur thotë autori se “..., vepra e jeta e Muharrem Bajraktarit më dhanë krahë t’i futem kësaj pune t’i kontribuoj sado pak...” e vë në dukje këtë gjë, që nuk është pak, por është një ndihmesë jo vetëm e shquar, por edhe me shumë peshë, për të cilën, pos tjerash, kanë shumë nevojë si njerëzit e tanishëm, ashtu edhe brezat e ardhshëm.
Veprimtaria e M. Bajraktarit, duke qenë pothuajse fund e krye “suis generis” për atdhetarinë shqiptare, është parë si kërcënim jo vetëm për pushtuesit e huaj dhe patericat e tyre, por edhe për vetë shqiptarët ambiciozë. Prandaj si të parët ashtu edhe të dytët kanë bërë çmos që jo vetëm ta shkatrronin personalitetin e këtij burri, por edhe ta zhduknin trupërisht. Kështu, atë do bëjë tradhëtar Bajram Curri dhe do ta rrethojë hermetikisht për ta zhdukur. Fashisti Mustafa Kruja do ta bëjë atë dhe bashkëluftëtarët tijë hajdutë dhe ushtar të jugosllavisë për ta diskredituar dhe pastaj do t’i turret, me një operacion fashist gjithpërfshirës tremujor, duke përdorur të gjitha forcat e tija italiane dhe fashiste shqiptare, për ta zhdukur dhe pastaj edhe gjatë dy vjetëve me rradhë. Lëvizja nacionalçlirimtare do t’i sajojë komplote dhe do ta godasë prapashpine tradhëtisht për ta zhdukur këtë njeri “të pakopmpromituar”, sepse, sipas urdhërave të jugosllavëve, M. Bajraktari është i rrezikshëm, kurse pas marrjes së pushtetit do ta ndjekë, si ujku gjahun, për afër dy vjet me rradhë, madje duke kërcënuar tërë Lumën me uri, vetëm e vetëm për ta zhdukur atë, të cilit do t’i ngrehen shumë prita, shumë rrethime hermetike dhe shumë përleshje të befasishme....Edhe shokët “nacionalistë” gjatë ’51-shit, me që nuk mundnin ta zhduknin Muharrem Bajraktarin, do të dërgonin letra në Kosovë dhe do të kërkonin nga përkrahësit e tyre që të “bënin çmos dhe t’i zhduknin luftëtarët e tij”, gjë që së pakut në dy raste u bënë pëpjekje.... Kurse në demokraci do të bëhen përpjekje që ai të mos dekorohet, “pa u parë dokumentacioni jugosllav”, kështu që të shuhet emri i tij. Por as me grykë të pushkës, as me përbetimet e ulëta, as me sajimet e pista për ta poshtëruar, nuk mundën ta zhduknin M. Bajraktarin, sepse atë e mbronte diçka, jo këmisha me të cilën flitej se kishte lindur, por drejtësia e kauzës që i shërbente, shkathtësia e pashoqe që shprehte në beteja dhe guximi i palëkundur që e shhoqëronte.
Një politikë e këtillë e egër, jonjerëzore dhe burracake, pa fije dyshimi jo vetëm e ka mjegulluar personalitetin atdhetar të Muharrem Bajraktarit, por edhe e ka koklavitur. Ndonëse disa punuan me zell të madh dhe me përkushtim shkencor për t’ia dhënë atij atë që e meritonte dhe së pakut për t’ia përmendur theroritë titanike atdhetare që bëri, nuk u bë mjaft për ta zhdukur atë mendësi përbetuese kancerioze, ato dhelpëra ende ishin gjall dhe punonin natë e ditë. Prandaj autori Nazif Dokleja është marrë gjërësisht me të drejtë me shkatrrimin e kësaj balte, të këtyre thashethëmave, pikërisht si Noel Malcolm-i me shkatrrimin e miteve serbo-pravosllave për shqiptarët, sidomos të Kosovës. Për ta sendërtuar këtë qëllim të zellshëm të tij, ai e mbështetë punën e tij në temele të shëndosha - fakte të ngurata, dokumente të konfirmuara për vërtetësi dhe dëshmitarë pamës, madje edhe në ato të instancave më të larta partizane dhe shtetërore komunsite. Ndër këta më e dalluara është “Promemorie ...“ e Bajram Bajraktarit, vëlla dhe bashkëluftëtar i M. Bajraktarit, dëshmitë e z. Neshat Bilalit, njohës i tij që nga mosha më e re dhe luftëtar i tij besënik i palëkundshëm dhe një numër studjuesish me përvojë shkecore historike dhe njohës të mirë të tij, si Essa Bilali, Shefqet Hoxha, Petrit Palushi dhe të tjerë.
Këtë hulli të punës së tij, autori e vazhdon më tej me të dhëna të tjera. Një burim përbën për të konfirmuar pikëpamjet e tija edhe një literaturë nga shkrimet e vetë M. Bajraktarit dërguar burrështetasve të huaj, sidomos atyre anglezë, me të cilat jo vetëm e informon për gjendjen në Shqipëri para dhe pas diktaturës, por edhe kërkon përkrahje në të mirë të aspiratave të drejta e të ligjëshme të popullit shqiptar. Një burim tjetër është përdorimi i dëshmive nga individë vendas gjithashtu për të kofirmuar më tej pikëpamjet e tija. Një vend të veçantë në këtë drejtim zënë edhe të dhënat e ndryshme nga autorë të huaj gjatë dhe pas Luftës së Dytë, sidomos nga misionarët anglezë që vepruan në Shqipëri, të cilët dëshmojnë për veprimtarinë politike dhe atdhetare të M. Bajraktarit. Pra, autori ka përdorur në punën e tij burime autentike, më së shumti të konfirmuara për vërtetësi dhe me vlerë për ndriçimin e jetës dhe veprimtarisë së M. Bajraktarit. Duke e marr parasysh këtë, në një anë dhe përbërjen e veprimtarisë së Muharrem Bajraktarit, në anë tjetër, nuk mund të mos arrimë në përfundim se, studjuesi Namik Dokleja, ka bërë jo vetëm një punë të mundimshme, por edhe ka hedhur dritë, madje të thelluar, në shumë anë si për personalitetin atdhetar të Muharrem Bajraktarit, ashtu edhe për rrethanat historike në të cilat ai ka vepruar, veçanrisht të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë do të thuhej se lënda e grumbulluar e shumtë, duhej të përzgjithej, sepse çdo gjë që shkruhet nuk përbën ose nuk përmban histori dhe kështu do ta lehtësonte punën e autorit bukur shumë...
Kështu, në saje të këtyre të dhënave të përpunuara me zell të madh dhe me përkushtim të palëkundshëm për të vërtetën, Nazif Dokleja i ka ballafaquar drejtpërdrejti konstrukcionet e djallëzore, injorante dhe fyese të ndryshme ndaj Muharrem Bajraktarit të bëra me qëllime të caktuara përbetuese për zhdukjen e tij jo vetëm politike, por edhe trupore, si p. sh. ato që e bënin bashkëpunëtor të pushtuesit italian fashist, kur ai ishte ndër të parët që e refuzoi atë, që e kundërshtoi atë, dhe që ia vuri pushkën atij me sajimin e Qëndresës së parë të armatosur në Shqipëri (prill 1941), atëherë kur ajo ishte forcë e madhe përbindëshe; ata që e bënin Muharrem Bajraktarin bashkëpunëtor të pushtuesit nazist gjerman, kur ai që nga fillimi e priti atë me pushkë në Kukës, nuk bashëpunoi me të dhe pastaj e luftoi në trajtë frontale atë bishë kolosale; dhe ata që e bënin Muharrem Bajraktarin bashkëpunëtor të mjekroshit serbo-nazist, Drazha Miajloviqit. Duke i vështruar ato me një sy kritik të mprehtë dhe me guxim si shkencëtar i vërtetë galilean, Nazif Dokleja i shqyrton ato me dorë në zemër dhe mendje të principshme dhe i hedh poshtë, madje me përbuzje, si injorante, dashakeqe dhe të ulta politike, trillime fund e krye të pista. Një përgjigje këtu merr edhe pikëpamja së fundi e Veli Haklajt kur pohon luftën e M, Bajraktarit kundërpushtuesit italain, por e mohon atë kundër atij gjerman, duke thënë “... por nuk evidentohet ndonjë betejë e tij kundër nazistëve”, një pohim i pa mbështetur dhe madje qesharak, sidomos kur ai shqyrtonte “Promemorie...” e Bajram Bajraktarit, që e pohonte atë. Shih Veli. Haklaj, “Si e përgaditi M. Bajraktari revolttën kundërkomuniste në veri,(Që duhej të ishte: Si u përpoq M. B. për të përgaditur revoltën kundërkomuniste në Veri”. (Botime në “Gazeten shqiptare”, 12 shtator, 2014).
Po studjuesi Nazif Dokleja nuk i hedh poshtë vetëm mendësitë që i kanë përhapur armiqët politikë të M. Bajraktarit gjatë Luftës dhe fill pas saj, por ai i shqyrton me mjaft hollësi edhe disa që janë munduar të shkruajnë histori gjoja me mendësi tjetër në kohën e demokracisë, por kanë përfunduar, në trajtë kamufluese, duke shkruar një lloj proze, sipas këngës së vjetër, por jo histori, siç thotë Hullett Carr-i, filozofi anglez i historisë për ata që e shkruajnë të kaluarën me një sy në të tashmen. Këta nuk janë pak dhe kanë tituj akademikë, por që nuk kanë mundur të çlirohen nga mikrobi dogmatik i diktaturës bolshevike. Ai shembullen: “Autorë të ndryshëm, duke shpërfillë fakte, data, ngjarje dhe vende, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta ngarkojnë me faje, krime, që Muharremi e forcat e tija nuk i kanë menduaar e kryer kurrë”. Më i përmenduri nga këta është Dr.Vangjel Kasapi, kur në emër të gjoja mendimit shkencor, si me mjeshtri kamufluese, shtrembëron faktet si kasap i vërtetë kur pëkrahë qendrimet e rreme të partizanëve kriminelë, kur thotë: “njerëzit e tij u çuditën”, në vend të “u goditën” (f. 196). “U hap zjarr...”, në vend të “u goditën prapa shpine” (f. 197), “Dostan Halilaj” në vend të “Dostan Rexhepi” dhe të tjera kështu me rradhë (“Mrekulli...”, Tiranë, 1998). Po kështu N. Dokleja ka bërë edhe për një farë “Historia ... maket” me ato pyetjet retorike për mjegullim të së vërtetës. Ai nuk i bën bisht as të ashtuquajtërës “koxha” “Enciklopedisë...” së Aziz dhe Mahmut Bulicës, me pasaktësinë për të shtrembëruar se gjoja ka pasë thënë M. Bajraktari “Unë nuk bashkëpunoj me komunistat”, në vend që “Nuk ka nevojë për bashkim forcash. Ju luftoni në një anë dhe ne në tjetrën anë...” dhe të tjera. Këta dhe një numër të tjerë, të cilët shkruajnë për të njëjën gjë me kaq ndyshorë pa konfirmime për saktësi, i ngjajnë gjyshes kur u tregon fëmijëve përralla me “Na ishte një herë një...”. Të gjitha këto Nazif Dokleja i shqyrton me logjikë të ngurtë dhe arrinë në përfundime kogjente, të cilat, pa u luhatur faret, ua hedh atyre strupëll ndër këmbë dhe, siç thotë filozofi gjerman i historisë, Ranke-ja, i lë ato që të bërtasin vetë gjer në kupë të qiellit për të dëgjuar edhe ata që i mbyllin veshët. Ai shembullen: “Duke mos u ndalur me hollësi në mospërputhjen midis këtyre autorëve për të treguar ngjarje (historike-eb) kundërthëniet skandaloze brenda kumtit të secilit, sofizmat, tregimin e historisë në nivelin e përrallave të dimrit, bazën dokumentare e burimore të munguar të tyre dhe për të mos lënë shteg për akuza njëanëshmërie dhe subjektiviteti ndaj meje, po ua lë fjalën dokumenteve e burimeve të ndryshme të pavaruara për këtë ngjarje”. Dhe kështu autori vazhdon të sjellë të dhëna përmes dëshmitarësh okularë dhe dokumeentesh autentike për veprimtarinë dhe personalitetin fund e krye atdhetar të Muharrem Bajraktarit...
Po studjuesi N. Dokleja nuk i harron pa i shoshitur edhe disa shkërputhje të tjera për ta serbizuar Muherrem Bajraktarin. Ndër këta Izber Hotin, që “ i shton edhe një kryengritje udhëhequr nga Muharrem Hajraktarit” (sic, f. 111) të paqenë dhe e bën atë “... agjent të Jugosllavisë (sic, f 215), gjithashtu përrallë, Bernard Fisher-in, që thotë se ai ka qenë “Oficer i ushtrisë serbe (sic, f. 215)”, pa qenë kurrën e kurrës, Muhamet Shatrin, që thotë se ai “.... Ishte vënë në dispozicion të shërbimit informativ jugosllav” (sic, 215), një ëndërr e parë me sy hapur, drejtorin fashist të Kuesturës së Shkodrës, ku thuhet se ai “... ka kaluar direkt në shërbim të Jugosllavisë” dhe këto akuza injorantesh, mbyllen me hamendje shumë të lirë kur Faik Qoku thotë: “Nji kolonë e nisun nga ana e Prizrenit pushton Kukësin e Lumën, ku bashkohen me Muharrem Bajraktarin (sic, f. 215)” (Po edhe sikur të ishte bashkuar kundër pushtuesit italian, qenka gabim?!) dhe... Këtë baltë unë e kam dëgjuar, madje edhe jam ballafaquar me njerëz pa njerëzi mendjelehtë, madje duke u kërkuar të dhëna dhe të dhëna të shkruara, por agjentët e tërbuar të partive të ndryshme që punonin dhe zbatonin politikën e tyre kundër shqiptare, nuk kishin asgjë në dispozicion...Duke qenë llomotitje hamendëse dhe të papërgjegjëshme, autori N. Dokleja u jep përgjigje më të mirë edhe këtyre kur thotë: “Ai është akuzuar dhe vazhdon të akuzohet, ndonëse me gjysmë zëri, edhe sot e kësaj dite si bashkëpunëtor me serbët, madje si vegël e tyre, kur realiteti flet krejtsisht për të kundërtën” ( sic. f. 215).
Kthimi në atdhe nga mërgimi i M. Bajraktarit
Por aty këtu, ka ndonjë lajthitje. Njëra ndër këto është edhe çështja e kohës së kthimit të M. Bajratarit në Shqipëri pas pesë vjetësh mërgimi. Për të thuhet: “në fund të qershorit 1940 u kthye nga mërgimi politik Muharrem Bajraktari rreth 46 vjeç kryetar shpirtror e politik i shumicës dërmuese të parisë së Lumës (sic, f. 7). Kurse në faqen 10 thuhet: “Nuk mori pjesë në festimet pompoze që pushtuesit italianë organizuan në qytetin e Kukësit më 28 nëntor 1939 (sic). Pyetja shtrohet se kur u kthye në të vërtetë në atdhe M. Bajraktari? Kjo lajthitje nuk është bërë vetëm më këtë rast. Ajo është paraqitur edhe në ndonjë rast tjetër. Kjo e bën të vërtetën pak nebuloze. Po Bajram Bajraktari në “Promemorje...” e zgjidhë këtë çështje duke vënë në dukje: “Pa pritmas me qershor 1939 Muharremi u kthye ... “. Mbas kësaj rradhe ka qenë edhe dy herë në Tiranë, i thirrur nga Luogotenenca një herë në dimën të 1939 dhe një herë në vjeshtë të 1940” (sic), faqe 2 dhe 3 të “Promemorie...”
Nacionalistë vs. Komunistë
Në këtë vazhdë duhet përmendur edhe një dogmë fashisto - komuniste, e cila vazhdon të zhagitet në historinë tonë si një sëmundje që as nuk vdes, as nuk shërohet, po vetëm torturon. Kjo ka të bëjë me shprehjen nacionalist vs. komunist. Kështu, të gjitha pataricat e pushtuesit italian, që pas kapitulimit të tij u bënë paterica të pushtusit gjerman dhe pas zhdukjes së këtij të fundit e quajtën veten nacionalistë. Këtë kostrukcion diabolik, e përvetëson edhe autori N. Dokleja, ndonëse ai i quan ata drejt me emër e mbiemër. Më duket se ky është një gabim që nuk i përgjigjet realitetit historik, sepse kush bashkëpunon me pushtuesin dihet se çka është, po jo nacionalistë në kuptimin e drejtë të fjalës. Kurse nacionalistë, ose atdhetarë janë ata që i luftojnë pushtuesit, një e vërtetë e menjdjes së shëndoshë. Për këtë ne kemi folur dhe kemi shkruar edhe në raste të tjera, sidomos në dy librat e përmendura më sipër.
Kroi i Verrëjshtës. I përkushtuar për të vërtetën, të pricipshmen dhe atdhetaren
N. Dokleja, shqyrton edhe çështje të tëjera të mjegulluara nga shkrues që flasin me logjikën e zemrës. Një çast i këtillë është mbledhja e ashtuquajtur e Kroit të Verrëjshtës në Bicaj më (10/8/’44), e cila trumpetohet me një foto që tregon disa paterica të pushtuesve italo-gjermanë. Po N. Dokleja e shikon drejt çështjen dhe e thotë fjalën e tij. Ai shkruan: “Kuvendi i Bicajt u inicua dhe u përgadit nga organet e pushtetit të instaluar prej pushtuesit gjerman me një përfaqësim tepër të kufizuar përkrahësish të këtij okupatori”.(sic, f. 56). Këta ishin mbledhur si negacion i Mbledhjes së Kroit të Bardhë, të përgaditur nga Muharrem Bajraktari me atdhetarë të tjerë nga Luma. Ky është nji interpretim i drejtë që ka bërë Nazif Dokleja dhe mjafton të tregohen emrat e tyre për të parë shkoqitmas se çfarë karakteri ajo ka pasur.
Mbledhja e Kroit të Barddhë
Në këtë rrethanë, është mirë të hidhet pak dritë për një çast të Mbledhjes së Kroit të Bardhë. Kjo do të bëhet në saje të dëshmitarëve pjesëmarrës. Ramadan Gjanaj, i cili nuk ishte përfaqësues, po kishte shkuar me Dostan Rexhepin, i cili ishte përfaqësues, ka pasë folur për këtë ngjarje. Gjatë bisedës që zhvilloi Muharrem Bajraktari në mbledhje, vuri në dukje rrezikun që i kanosej vendit nga “Një pushtues”, që ishte ai gjerman. Në këtë çast ndërhynë Tasim Spahia duke thënë se “Nuk është një pushtues, po janë dy”, duke aluduar në LNÇ-në, thonte pjesëmarrësi Ramadan Gjanaj i Ujmishtit/Lusnës. Kjo përbën një çast që e ilustron qëmdrimin e N. Dokles se Muharrem Bajraktari nuk ishte, madje assesi, për luftë vëllavrasëse, sidomos kur vendi lëngonte nën thundrën e pushtuesit gjerma (Shih: Esat Bilali, “Betejat e reja nuk fitohen me armët e vjetra”, f. 169, Lezhë, 2004; libri që është përpiluar me dëshmi të pjesëmarrësve dhe nuk duhej të injorohej). Megjithatë, ka disa çështje që e vlenë të bëhet fjalë më tej dhe disa të tjera të shquhen më shumëj.
Tradhëtia partizane në Gjostil
Pothuajse fill pas mledhjes së Kroit të Bardhë, kur filloi lufta e hapur frontale kundërgjermane (10 gusht, 1944) dhe kur ende vazhdonte, ndodhi ngjarja e Gjostilit, goditja ndaj Muharrem Bajraktarit prapa shpine tradhëtisht e partizanëve të brigadës së 5të të posa ardhur në Lumë për ta zhdukur atë. Kjo ngjarje e ka tërhequr, si me rëndësi të veçantë që është, edhe vëmendjen e N. Dokles. Edhe për këtë, autori e mbështet punën e tij si në dokumente (Velimir Stojniq), po ashtu edhe në dëshmi të Sabri dhe Elez Çejkut të dhëna nga Lutfi Çejku. Ndonëse ata kanë qenë pjesëmarrës në luftë, ata nuk kanë qenë në Gjostil, por kanë qenë në Frontin e Krenzës në grupin e Dostan Rexhepit. Për këtë, sa i përket ngjarjes në Gjostil, ku u zhvillua ajo dramë që përfundoi në tragjedi, madje të madhe, në luftë civile. ata e kanë pasur me të dëgjuar. Kurse të rinjët Lutfi Çejku dhe Ramadan Gjana, të dy nga Lusna, u kanë sjellë ushqime luftëtarëve në Krenzë. Kështu, dëshmia e tyre, ndonëse informative për luftën kundërgjermane në përgjithësi, si ajo e Velimir Stojniqit serb për Gjostilin, në veçanti, ka shprazëti. Duke qenë ata të dy analfabetë, është e qartë se “dëshmitë” e tyre sikur që janë paraqitur, janë të përpunuara dhe, me siguri, edhe janë zbukuruar me imagjinatën e mjekut Lutfi, gjë që ka qenë jo vetëm guximtar për këso gjërash, por edhe ka pasur shkathtësi në atë drejtim. Për ta parë këtë, mjafton të shihet fjalori i pjesëve, i cili nuk u përket atyre fshatarëve, kurse Elezi ka pasë vdekur disa dekada më parë se të përpilohej shkrimi, pa lënë gjë as me gojë, as me shkrim. Nëse kanë ekzistuar ato, gjë që nuk dyshohet ajo e Sabriut, se ai ka jetuar gjer vonë (dhe shkruesi i ka shiritat manjetofonik me dëshmi të tij kur qe në Amerikë), ato duhej të jepeshin ashtu siç kanë folur ata, katundarçe, thjeshtë e qartë, “shul e ship”. Sidoqoftë, këta bashkë me V. Stojniqin serb, kanë qenë dëshmitarë të dorës së dytë sa i përket Gjostilit, i pari i informuar nga veglat e tij partizane dhe të dytët nga pjesëmarrësit ose nga ndonjëri që ka pasë dëgjuar për të, shprazëtitë e së cilës e tregojnë këtë.
Por për ngjarjen e Gjostolit, për atë tradhëti të madhe që mori jetë njerëzish dhe shkaktoi luftë qytetare dhe që është përfolur aq shumë, ka të dhëna me shkrim, së pakut, nga një pjesëmarrës. Ky quhet Dalyp Zyberaj nga fshati Breki i Lumës. Për këtë ngjarje, ai ka pasë folur shpesh pothuajse sa herë që jemi takuar, sepse tregonte për trimërinë e tij. Më vonë, sipas kërkesës së shkruesit, edhe e ka pasë ngurtësuar atë me shkrim. Në njërën nga letrat që i dërgoi atij nga Parisi, Francë (24/9/1992), ai flet për atë ngjarje. Ndër të tjera, ai thotë: “Sa i përket luftës me komunista në Gjostil me Muharrem Bajraktarin kam qenë present dhe jam plagos në Gjostil”(sic). Ai shton në atë letër: “Keto janë te verteta se kame qene vete presen (sic)”. Po këtë e tregon më gjatë D. Zyberaj në letrën tjetër që i ka pasë dërguar atij, më 6/12/1975, e cila ka qenë botuar në të përkohëshmen “Luma”, Kukës (...). Në të D. Zyberaj shkruan: “Ishim tue qindrue anmikun përball me pushkë e pa pushkë. Nji ditë të sabahit posa kish lind dielli ishim rrethue tansisht nga komunstat internacional dhe qellimi kryesor ishte me mujt me vra Muharrem Bajraktarin dhe erdhën që të diskutojnë me kryekomandantin e Lumës, M. Bajraktarin. Për këtë qëllim dy ushtarë erdhën te M. Bajraktari ku qe i vendosun dhe e thirrën me ba nji takim. Tue u pajtue me ta, ai u tha”: “Shkoni se do të vij”. Me që u vonue pak, përgjegjësit partizanë dërguen edhe dy të tjerë, tue kërkue që ai të shkojë sa ma parë në takim. Mbas kambënguljes së partizanëve, M. Bajraktari, pa u këshillue me njerëzit e tij, por si i shqetësuem, u drejtue për në vendin që e kishin caktue partizanët. Këtë, pa u kërkue e shoqënoi “Zulfi Maliqi, Sadik Spahija, dhe ndonjë tjetër, gjithsejt nja 10 deri 15 veta”(sic), thotë Dalyp Zyberaj. Kurse Ramadan Gjanaj (i cili ka qenë në frontin e Krenzës me Dostan Rexhepin) sqaron më tej: “Sadik Spahija, Hamdi Bajraktari, Dalyp Zyberaj me mitroloz, Zenel Gjuta, Isuf Koka, Qazim Dragoshi, Taip Nuhija, Osman Sherifi” dhe ndonjë tjetër. Shih edhe (E. Bilali, “Betejat e reja nuk fitohen me armët e vjeta”, Lezhë, 2004, f.181-182) dhe letrat e cituara.
“Me ta fillue bisedën, partizant i kërkuen M. Bajraktarit që t’i bashkojnë forcat” (sic). Këtë propozim nuk e pranon M. Bajraktari, duke thënë se: “Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Ju luftoni në një anë, ne në një tjetër” (sic). Pra, jo ashtu siç e vënë në dukje disa se gjoja ai “... nuk pranoi t’i angazhojë forcat kundër gjeramanëve”, ose “Nuk donte të bashkëpunojë me komunistët”, një mendim absurd, sidomos kur dihej se ai ishte i angazhuar në atë luftë. Qëndrimi i M. Bajraktarrit, s’do mend, se i pritur, sikur nuk u pëlqeu përfaqësuesve partizanë. Prandaj ata filluan t’i japin atij disa lekcione “atdhetare”. “Fjalët ishin të shkurta me komandantin e kuq Bako Dervishin” (sic), thotë dëshmitari pamës Dalyp Zyberaj. Sjellja e tyre e shqetëson M. Bajraktarin, i cili duke nuhatur gjendjen, pyeti se “Kush ua ka mësue këto marifete, sllavët e Ballkanit që përpiqen me i zhdukë shqiptarët nga vendet e tyne ... ?” (sic) dhe duke u sjell pak si përçmueshëm dhe duke mos e zgjatur fjalën, largohet nga takimi. Pas një çasti, sidomos pasi e ndiejnë veten të sigurtë përfaqësuesit partizanë, s’do mend se me urdhën të “Bako Dervishit, komandanti që na ra në Gjostil” (sic), thotë D. Zyberaj, duke u përpjekur për të realizuar skenarin e parapërgaditur për të vrarë M. Bajraktarin, sulmojnlë. “Të gjitha predhat u hodhën mbi kryetarin. Nuk kishim se nga të rrotullohshna nga zjarmi i anmikut dhe altileria gjermane. Hidhen me mija predha..(sic). “ nji za na ka britë: Zjarm djemt e Lumës” (sic), ky, tue mbajtë cigarishten në gojë, pa u ulë fare dhe pa u përpjekë të mbrohet, gjuen shpesh me pushkë. “Po ashtu filluem të gjuejmë edhe na me pushkë, me mitroloz, me bomba dhe me çka kishim. Ka vazhdue nji zjarm i papremë, që bana edhe unë nji qendresë me mitroloz të randë Preta Italian, e cila mbahet mend prej të gjithë si kanë qenë në luftë me ta, ku hidhen me qinda predha në minut. Kështu zjarmi i jonë hapi rrugën e daljes nga rrethimi” (sic). Pushka vlon tashmë nga të gjitha anët. Pas pak kohe ajo përqendrohet te kulla e Kadri Ahmetit nga ku, për shkak të sulmit të rreptë, u detyruan të tërhiqeshin....Vlenë të shtohet se M. Bajraktari kurrë nuk ka bajtur marshinkë, por vetëm pushkë që gjuan rrall, por vret shpesh e larg!
“Kështu zjarmi i jonë hapi rrugën e daljes nga rrethimi komunist. ... Nga ana e jonë u vra Osman Sherif Bajraktari, Ilmi Dani i Kolesjanit dhe Dalyp Nuhija (Zyberaj) i Topojanit u plagos dhe Tasim Spahija u zu rob”.
Lidhjet e M. Bajraktarit me viset shqiptare të pushtuara
Në po të njëjtën faqe, studjuesi N. Dokleja bën fjalë edhe për lidhjen e M. Bajraktarit me vendet shqiptare të Kosovës së ngushtë dhe të Kosovës së gjërë - Pollogut. Këtë e vë në dukje B. Bajraktari duke thënë se, “Një letër identike i kishte dërgue Nijazi Alushani(t) me anën e Hamëz Rexhepit” (sic), “Promemorie...”, f.125 e shkruar me dorë dhe f. 63 e shtypur me makinë). Kur thotë autori se M. Bajraktari “Siguroi bashkëpunimin e nacionalistëve shqiptarë në Prizren dhe Maqedoni” e vë në dukje këtë, po emrin e Hamëz Rexhepit nuk e shënon.
Pra lidhjet me Kosovë, mbahen përmes Hamëz Rexhepit dhe sidomos me Mefail Zajazin në Pollog, me që Hamëz Rexhepi jotonte dhe vepronte atje, pa i humbur lidhjet me M. Bajraktarin dhe njerëzit tjerë të Qëndresës në Lumë.
Po kështu është një hall edhe me shkuarjen e Mefail Zajazit në tubimin e Shkoza e Fshatit. Për këtë Bajram Bajraktari bën fjalë në “Promemorie ...” faqe 63 e shtypur me makinë dhe 125 e shkruar me dorë, e cila faqe në kopjen që kam nuk lexohet qartë. Prandaj po jepet pjesa që ka venë në dukje N. Dokleja: “Gjatë periudhës korrik gusht (Në të vërtetë kanë qenë vetëm 10 ditë - Neshat Bilali, pjesëmarrës), Muharremi ka qëndruar në pyellin “Shkoza e Fshatit” dhe “Mali i Gjegjun” (Buzmadhe). Këtu erdhi Mefail Zajazi nga Kërçova e Maqedonisë me 8 vetë...” (sic). Kjo ashtu siç është thënë është një gjysmë e vertetë. Ja e vërteta e plotë:
Në dimrin e vitit 1944/’45, Hamëz Rexhepi ishte strehuar në Negotinë, Gostivar, te Izet. Zylbehari, mik shtëpie i Mefail Zajazit. Me që i ishte bërë i pamundëshëm qëndrimi Mefailit në vend të vet, ai me djalin e tij, Xhemën, vjen te miku i tij, Izet Zylbehari ku ishte Hamëzi. Me që aty tashmë nuk mundnin të qëndronin se u bënë shumë, në një ditë dimri me stuhi e dëborë, shkojnë në Lumë dhe ... përfundojnë te Daut Hoxha i Çajës, ku qëndrojnë gjithë dimrit. Gjatë pranverës dhe një pjesë e verës sillen për disa kohë nëpër Lumë. Kur bëhet takimi te Shkoza e Fshatit dhe Mali i Gjegjun, atje shkon Hamëz Rexhepi bashkë me Mefail Zajazin dhe djalin i tij. Pas përfundimit të mbledhjes, ata erdhën te ne në Pozhoran. Pastaj Mefailin e përcolli Hamëzi me luftëtarët e tij për në vend të vet, ku ra në pritë dhe pas luftimesh, u vra (Esat Bilali, “Shkrime Historike” Lezhë, 2002, f. 77-78 dhe E. Bilali, “Betejat e reja nuk fitohen me armët e vjetra”, Lezhë. 2004, f. 129; po ashtu, madje më gjatë shih Neshat Bilali, “Rindërtimi i historikut të Pollogut 1941-1946”, Prishtinë, 2012, f. 129 dhe 130).
Kështu, pra, qëndron çështja e Mefai Zajazit dhe pjesëmarrja e tij në tubimin e Fshatit. Se çka kanë bërë me Muharrem Bajraktarin dhe çfarë informacionesh i ka dhënë Mefaili atij, nuk dihen, sepse B. Bajraktari nuk ka qenë pjesëmarrës, po ka qenë, siç thotë vetë, i sëmurë në Ujmisht. Megjithatë, M. Bajraktari mund t’i ketë treguar atij se çka është folur me të.
Një pështjellim në interpretim
Po ka edhe një hall tjetër. Te shumë studjues dhe te jo studjues, luftëtarët e M. Bajraktarit quhen bashkëluftëtarë të tij, dmth. të gjithë janë bërë gjeneralë. Këtë mendësi e kanë shprehur njerëzit sa të paditur, aq edhe për qejfbërje. Kjo mendësi ka qenë aq e përhapur, sa ia kanë shitë edhe autorit të monografisë, N. Dokles. Por kjo nuk i përgjigjet njëmendësisë historike, sepse çdo njëri në rradhët e M. Baraktarit bëhet i barabartë me të, gjë që jo vetëm nuk qëndron, por është edhe e pa kuptimtë edhe qesharake. Në të vërtetë, M. Bajraktari e ka pasë quajtur bashkëluftëtar të tij vetëm Dostan Rexhepin (Esat Bilali, “Letërkëmbimi 1”, Prishtinë, 2014). Kjo ishte edhe e drejtë, sepse Dostan Rexhepi ka qenë në shumicën e herave me të, madje, siç thotë B. Bajraktari, ai ecte para në paqë dhe para në luftë. Po kështu nuk mund të konsiderohet bashkëluftëtar i tij as Tahir Vata, as z. Neshat Bilali dhe as Elmaz Çejku, madje as Imer Miftari, sepse këta të gjithë, si shumë të tjerë, kanë qenë luftëarë të tij, ushtarë.
Po ndër këta veçanrisht Elmaz Çejku është tjetërsuar. Në të vërtetë, ai kurrë nuk ka qenë në rradhët e Muharrem Bajraktarit, po gjithënjë në ato të Hamëz Rexhepit për disa vite në Gostivar bashkë me Sabriun dhe ndonjë çëjk tjetër sipas rastit. Kur e filloi luftën M. Bajraktari kundër pushtuesit gjerman, Elmazi dhe Sabriu, të ardhur në Lusën për t’u parë me familjet e tyre, iu bashkuan me lusjanë tjerë Dostan Rexhepit dhe, pasi arritën në Bicaj përmes Kolesjanit dhe u bashkuan me M. Bajraktarin, u turrën dhe hapën frontin e Krenzës. Pas shkatrrimit të frontit kundërgjerman për shkak të sjellljes së pabesë dhe tradhëtare të partizanëve Shefqe Peçit, ata prapë shkuan në bazën e tyre te Hamëz Rexhepi në Gostivar, ku morën pjesë në shumë përleshje, luftëra dhe beteja me të dhe vendas kundër forcave pushtuese serbo-maqenone. Pas mbarimit të luftës, Sabriu u dorëzua. Po ashtu bëri edhe Elmazi pas vresjes së Hamëzit, ndonëse ai kishte kaluar që më parë në rradhët e Dostanit, duke e dorëzuar edhe pushkën. Por Elmazi, si luftëtar trim dhe besënik i Qëndresës, prapë u arratis dhe shkoi të Dostan Rexhepi, të cilit, në të vërtetë, ia kishte dhënë besën se do të vdiste me të. Me të ndodhi edhe në do përleshje të tjera kundër komuniste, si në Limth dhe te stanet e Buzëmadhes (Esat Bilali: “Betejat e reja nuk fitohen me armët e vjetra” Lezhë, 2004). Në ndërkohë merret vesht se Elmazit do t’ia internonin familjen. Prandaj babai i tij, Tosun Çejku, për t’i ikur internimit për shkak të moshës, u arratis. Pas luftës kasaphane njëditore të Shpatzës, ku nuk ndodhi as Dostan Rexhepi, as Sefë Xheladin dhe ku u vranë disa luftëtarë të M. Bajraktarit, ”me të u bashkua Dostan Rexhepi” me grupin e tij, “që përbëhej nga Neshat Bilali, Elmaz Çejku, Tosun Çejku, Avdi Rakipi” dhe, në ndërkohë, edhe Sefë Xheladini, të cilët erdhën nga Tërshena në Majë të Vogël të Gjalices, afër fshatit të Lojmes. “Shih N. Dokle, “M. Bajraktari monografi”, f. 73.
Tjetërsimin e Elmaz Çejkut, pra, e ka bërë Lutfi Çejku me metodologjinë e tij të shkruarjes “histori” me panegjerizimin e disa fotove (shih foton e tij dhe dorën e prishur...) dhe me litotën e disa të tjerave, gjë që është folur shumë në librin Esat Biali, “Betejat e reja nuk fitohen me armët e vjetra”, Lezhë, 2004). Shtoj se këta të gjithë ishin pjesë e Qëndresës prirë nga M. Bajraktarit, të Dostanit dhe të Hamëzit.
Duhet vënë në dukje se ngjarja e Lojmes është bërë pak e koklavitur. Këtë gjendje e ka shkaktuar paraqitja lajthitëse e B. Bajraktarit, me siguri për qejfbërje të komunistëve dhe për lehtësime vetjake në rrethanat nëpër biruca. Po këtë mund ta kenë ndihmuar edhe pasojat e gjata dhe të rënda disa vjeçare në birucat e UDB-së jugosllave dhe të Sigurimit të Shqipërisë. Si mund të shpjegohet ndryshe kur thotë se Neshat Bilali ka dalë në greqi pa pushkë, kur ai kishte rënë në duar të serbo-maqedonëve në maqedoni një ose dy ditë para dhe nuk e dinte se si u zhvilluan punët pastaj?! Po ashtu atë mund ta ketë ndihmuar edhe ndërhyrja e aparatçikëve komunistë gjatë daktilografimit të dorëshkrimit. Për shembull, ku e diti Bajram Bajraktari emrin e Shyqyri Mekës të vrarë në Lojme, kur dihet, siç thotë z. Neshat Bilali, se “emrin e tij e kemi mësue kur kemi shkue në kampe të Greqisë nga një i afërm i tij?” Sigurishte se aparatçikët ia kanë treguar Bajramit për t’i sajuar atij lëvdata! Po nuk ka fije dyshimi se këtë koklavitje e ka ndihmuar, madje më shumë, përvetësimi me zell i Lutfi Çejkut i pikëpamjeve të gabuara të komunistëve, për t’iu kundërvënë dëshmive që kanë dhënë pjesëmarrësit për arsye se ata nuk i përkrahin fryerjet hamendëse të tij dhe të cilët kanë qenë ndër bërësit e asaj ngjarjeje, z. E. Bajraktari dhe z. N. Bilali, të dy ende jetojnë në Amerikë, duke përfshirë edhe deklaratën e vetë M. Bajrajtarit fill pas ngjarjes, të cilat mendoj se nuk lënë vend për luhatje. Për këto, jo vetëm kur kemi shkruar kundër kritika, por edhe kur e kemi vlerësuar “Promemorie... “ e Bajram Bajraktarit (“E. Bilali, Betejat e reja ...”, Lezhë, 2004 dhe E. Bilali, “Shkrime historike”, Lezhë, 2002), i kemi bërë një numër sqarimesh. Ka qenë e nevojëshme, prandaj, që të konsultohen dy librat e përmendura më lart dhe të përpiluara më së shumti në mbështjetje të dëshmitarëve okularë dhe të dokumenteve autentike...
Një analogji turpi e njerëzve të këqinj
Është mjaft interesant hetimi i autorit, N. Dokles, i analogjisë për gjakderdhëje midis shpirtit fashist të zi dhe atij komunist të kuq. Kështu, ata do të përdorin çdo mjet të dhunshëm, do të siellen në çdo mënyrë të egër dhe do të zhyten në çdo baltë të pistë jo vetëm kundërnjerëzore, por edhe fund e krye kundërshqiptare, për të derdhur gjak vëllëzërish. Kështu, autori vëren etjen për gjak të të kuqëve: “Duhet të gjakoset Luma me Muharrem Bajraktarin sepse vetëm atëherë ai do të ndiqet dhe do të urrehet dhe që të bahet kjo, propozojmë që të bëhet kundërforma e njësiteve me elementa vendës...” (sic, f. 190). Sigurisht se kjo etje për gjak e kishte zanafillën te paraardhësit e skajshëm të tyre të zi, kur nënprefekti fashist i Kukësiti më 1942 kërkonte me tërbim nga eprorët e tij fashistë për ta zhdukur Muharrem Bajraktarin me bashkëluftëtarët e tij edhe me një mënyrë tjetër më të egër. Edhe për këtë autori vë në dukje: “Kërkohet ... bashkë me Tasim Spahinë për të ndjekur Muharrem Bajraktarin, se me fjalën e Muharremit Dostan Rexhepi nga Bicajt vrau vëllaun ... dhe kanë armiqësi” (sic, f. 190).
Këto kërkesa të komunistëve dhe të pataricave të pushtuesit fashist, nuk u sendërtuan. As njëri nga këta nuk pranuan të vinë në Lumë dhe të mbështillen në atë baltë fashite. Kurse Tasim Spahia, pasi u arrestua në Vlorë nga komunistët, që i shpëtoi pushkatimit me ndërhyrjen e Rrahman Parllakut (Rr. Parllaku, “Mirënjohje”, Tiranë 2007), i njoftuar për thirrjen apo jo sipas kërkesës së Sadik Spahis (Shefqet Hoxha, “Muharrem Bajraktari gjatë pushtimit italian 1939 - shtator 1943”, Tiranë 2001), Tasim Spahia erdhi në Lumë dhe iu bashkangjit njësitit të Muharrem Bajraktarit. A ka pasur ndërmend, sipas parashikimeve fashiste, ta kryente aktin kriminel që i kërkote pushtuesi me patericat e tij, nuk dihet. E vërteta është se ai nuk ka pasë shprehur as dyshimin më të vogël.
Si të këqia dhe të pista që ishin përpjekjet e fashisto - komunisttëve, asnjëra nuk dhanë pasoja të pritura, pos asaj që sajuesit e tyre ngelën, si nismëtarë të këtyre qendrimeve të errëta, me shpirt të gëlbazuar fashisto- komunist përgjithmonë.
Megjithatë, sa thuhet për Dostan Rexhepin me zell e vend e pa vend për denigrim, duhet shikuar ajo më drejt. Për shkak të këmbënguljes për vendosjen e rendit në fshat, vritet kryeplaku. Për ta marrë gjakun, të afërmit e tij marrin disa shokë, gjë që e marrin përsipër përgjegjësinë, dhe e marrin gjakun... Pra atë punë s’e ka kryer një person, po katër vetë, më kryesori ndër ta gjakmarrësi...
Me zhdukjen e të menduarit përmes ideologjive, më duket se ka ardhur koha që gjërat të shikohen me gjakftohtësi dhe me dorë në zemër, jo me kuptime politike, madje duke mos e ngatrruar edhe Muharrem Bajraktarin në atë fatkeqësi bashkë me ata tjerët që nuk u takon barra e “fajit”. Gazetarët dhe studjuesit bashkë me disa neofashistë, spijunët e djeshëm dhe të sotshëm të UDB-së dhe të Sigurimit famëkeq, që e potencojnë këtë ngjarje fatkeqe pa rëndësi histoorike dhe pa e ditur mirë thelbin e saj, duhet të mendojnë më shkoqitmas, më shkencërisht, kështu që mos të lejohen klishët e fashistëve, të serbistëve dhe zërat e djallëzuar ta keqpërdorin atë duke e interpretuar sipas qejfit të tyre për qëllime djallëzore. Studjuesi N. Dokleja, me kritikën e rreptë që u bën të dyja palëve me guxim dhe drejtësi, i mëshon gozhdës me çekan në kokë.
Në dritën e kësaj që u tha, vepra e N. Dokles “M. Bajraktari – monigrafi”, është shkoqitmas përpjekje e një studjuesi të rryer me një varg përfundiesh syzuese. Së pari, ajo është vepra e parë që e trajton jetën dhe veprimtarinë e atdhetarit të shquar M. Bajraktari që nga fillimi i veprimtarisë dhe mbarimi i jetës së tij. Së dyti, ai e shqyrton me sy e mendje tejet kritike gjithë baltën qi i është hedhur M. Bajraktarit nga patericat e pushtuesve, nga politika e skajëshme komuniste-bolshevike e nxitur dhe e drejtuar nga agjentët serbo-jugosllavë bashkë me atë baltën që hedhin sot pasardhësit e tyre pa u skuqur fare me gjithë ato grada akademike që mëtojnë se kanë, duke përfumduar se ato janë shpifje, shtrebërime, dashakeqësi, injorancë, urrejtje patalogjike, përpjekje të ulëta ziliqare, burracaki... Së treti, Të njëjtën gjë autori, Nazif Dokleja, duke i shikuar tejet me sy kritik edhe disa shkrime tejet hamendëse dhe fund e krye të pa mbështetura të disa shkruesve që spekkulojnë vetëm për të mbushur faqe për tregun dhe për rrahje të shpinës, të cilat gjithashtu i hedh poshtë si të pa mbështetura dhe pa asnjë vlerë. Së katërti, duke mbajtur parasyshë të dhënat autentike të para me dorë në zemër dhe të shqyrtuara me ndërgjegjen e një shkencëtari të vërtetë, studjuesi Nazif Dokleja vjen në përfundimin e pa shmangshëm se “Muharrem Bajraktari pa më të voglin dyshim është figura më e shquar e historisë së Lumës, Kukësit, nga më të spikaturat e historisë moderne shqiptare dhe njëherit më e përbaltura e regjimit komunist për 45 vjet me rradhë...”.
Neshat Bilali, veteran i Luftës)
Esat Bilali, Sr. Sc.
Tetor, 2014
Sh. B. A.

0 comments:
Post a Comment