Vështrim i shkurtër mbi fushatat kryesore luftarake të Hamz Rexhepit
Në faqen 144 bëhet fjalë për shumë gjëra, ndër të cilat spikatet një ndodhi e papritur që quhet incidenti i Proshevcës, shkak të të cilit thuhet se “Hamza nga shokët që kishim (sa shumë është për të qeshur dhe për të pyetur se çfarë shokësh ka pasur Xhela?) vetëm bënte probleme (sic)”. Ai ka të bëjë me lidhjen miqësore të imponuar nga Ziber Proshevca me forcën e miqësisë së vjetër Hamz Rexhepit. Por kjo, ndonëse kushtoi jetë njerëzish, nuk ka kurrëfarë rëndësie për historinë e popullit shqiptar, madje as të Pollogut. Pra, është një aferë vetjake. Prandaj, nuk duhej të shpenzohej as letër dhe as mund për të. Fundja, ajo nuk është asesi ashtu siç e paraqet Xhela, se po të ishte përzier ai djalosh atëherë ashtu, me siguri nuk do të ishte sot për të mohuar, shtrembëruar dhe sajuar sipas qejfit të tij historinë e lavdishme të popullit shqiptar të Pollogut. Prandaj, për të nuk po bëhet fjalë. Por, po ndriçohet ajo që autori, recensenti Shehu dhe protogonidti i tyre, Xhelë Xhelili, janë përpjekur të fshehin – të fshehin historinë e popullit të Pollogut, të popullit shqiptar.
Prandaj Hamz Rexhepi, duke pasur një histori mjaft të vrullshme kombëtare, duhet të vlerësohet, në radhë të parë, si sajues dhe prijës i çetës së tij trime, që e ndihmoi popullin e Pollogut për ta ndier veten të lirë me luftën e tij kundër të keqes vendase dhe hajdutëve të ardhur, por edhe si njëri nga prijësit e popullit të Pollogut gjatë periudhës së vështirë 1941-1946 me luftën e tij të vendosur atdhetare. Kështu, janë të shumta ndërmarrjet e tija luftarake. Njëra ndër to, ajo e Gradec-Gorjanit (gusht, 1943) kundër pushtuesit italian pak para se të shkatërrohej pushtuesi; ajo e Reçanit (shtator 1943) bashkë me Xhemë Simnicën kundër forcave komuniste maqedono-shqiptare, që donin ta pushtonin Gostivarin fill pas kapitullinit të Italisë; fushatat në Zajaz kundër komunistëve serbo-maqedonë që janë disa; ato në Kërçovë, të cilat gjithashtu janë disa; operacioni në Beliçicë (vjeshtë, 1943), ku u bënë luftime të ashpra dhe ku pati shumë të vrarë, dhe ku Haqif Reçani u suall shumë ashpër ndaj popullsisë së pafajshme; ajo e Izvorit të Strugës, ku qendroi më se dy javë në luftime me serbo-maqedonët; luftimet në Malin e Miletinës; ajo në Studenicë në bashkëpunim me Xhemë Simnicën; ajo në Mavrovë dhe të tjera. Por “E para me ransi është lufta e Llazaropolit (fundi i tetorit, 1944), ku forcat janë kryesue prej Hamz Rexhepit, por në atë rast pa marrë pjesë as Xhema as Mefaili, po lufta pat sukses, dmth. komunistët u shkatrruen pa asnji humbje nga ana jonë, ndonëse “Dostan Rexhepi hipur në kal u qëllua”, thotë pjesëmarrësi Hatip Reka, në bisedën që bëri shkruesi më 1976 në Amerikë. Por, fushata më e madhe kundër serbo-maqedonëve ka qenë “lufta në Sogore (Mali i Thatë) afër fshatit Koritë, (vjeshtë, 1944, një ditë të Bajramit të Vogël, kur u përhap lajmi se është vrarë Hamz Rexhepi), d.m.th. shpartallimi i shtabit komunist në Poreçe, e cila luftë është kryesue prej Hamzit dhe u krye me sukses. Kanë marrë pjesë edhe Xhema e Mefail (z. Neshat Bilali thotë që Mefaili nuk ka marrë pjesë, sepse pati probleme në vis të vet), por ata kanë ardhë në ndihmë, se luftën ma para e ka fillue Hamzi”. “Për Hamzin nuk qenë të mjaftueshme këto, po i ngarkoi mushkat me mitroloza e fishekë dhe shkoi e mori pjesë edhe në luftën që u ba mbi Zhur (kundër partizanëve gjakatarë të Shefqet Peçit), ku mbrritën deri në Shtiqën,,,” (Letra e Adem Gjanës, 15.VII. 1966, Liege, Belgjikë, pjesëmarrës në shumë përleshje me çetën e Hamz Rexhepit, të cilin Xhelë Xhelili e ka pasë njohur mirë jo veç gjatë luftës, por edhe në Liege, Belgjikë, po nuk e përmend, sepse frikësohet se mos po dalin shumë). Adem Gjana në letrën e tij gjithashtu thotë: “… përsa u përket luftave që ka ba Hamzi, Z. Neshat i din edhe ma mirë se unë, se ka marrë pjesë në çdo luftë me përjashtim të Sogores dhe ai i mban mend ma mirë se unë”. Por më e rëndësieshmja ndër të gjitha këto për Hamzin, ka qenë ajo e Vrasës buzë Muzdaqes, për të cilën do të flitet më poshtë. Për të gjitha këto, Adem Gjana në letrën e tij përfundon: “por edhe vdekja e tij është e veçantë, se nuk e ka pague veten asnji shqiptar si Hamzi”…
Në faqet 131 dhe 132 bëhet fjalë për dy beteja, “Beteja në Vrasë të Vogël” dhe “Beteja në Vrasë të Madhe“. Duke u thënë në një trajtë të shkapërderdhur “ku nuk merret vesh se sa shkon tërshana“, që duket se Xhela nuk ka haber për asgjë, ose autori i librit ka manipuluar për të fshehur të vërtetën, që të jep përshtypjen se Xhela nuk ka qenë pjesëmarrës, ndonëse ka qenë aty rastësisht, por në këtë moshë duket se nuk ka lidhje me muhallën e epërme, sepse nuk specifikohet vendi, por jepet emërtimi i vendit Vraca, e cila është një regjion i gjerë. Data e ngjarjeve nuk përcaktohet. Po nuk përcaktohet as ora që dihet se kurë filluan përleshjet, por thuhet “natën“. Në asnjë mënyrë, madje asesi, nuk jepet kronologjia e zhvillimit të luftimeve. A përbëjnë këto mungesa ndonjë farë historie!? – Sigursht se jo. Por këto përbëjnë një përrallë, madje të keqe, më e keqe se sa ato të gjysheve që u tregojnë nipave dhe mbesave rreth votrës. Si e këtillë, nuk ka njeri me mend që ta besojë atë. Është e habitshme se si e ka pranuar atë llaf autori i librit për t’i dhënë vend në librin e tij. Për këtë të vjen keq për kohën që ka humbur shkruesi i librit dhe recensenti Eugjen Shehu, i cili ka pasë shkruar një studim mjaft informues për Hamz Rexhepin (Shih “Fakti”, 29 qershor, 2002), kur mendonte se Hamzi ka qenë ballist, por kur i doli se ai ishte atdhetar jo ballist, duket se e ndryshoi mendimin. O, Zot i madh! Po këtu ka një plagjiaturë të madhe. Xhela me autorin e librit, duket se i marrin emrat e pjesëmarrësve nga shkrimi i Esat Bilalit botuar në fletoren “Fakti” (kallnor, 2006), por duke shtuar gabimisht se ka marrë pjesë Sabri Çejku, luftëtari kryesor i çetës së Hamz Rexhepit, që u dorëzua në Lumë qysh në fundin e vjeshtës së vitit 1944 dhe i ka pasë larë “mëkatet” me burg. Po aq e gabuar, madje qesharake, është kur thuhet se në ato ngjarje është vrarë edhe vëllau i Hamz Rexhepit, bashkëluftëtari i atdhetarit Muharrem Bajraktarit, Dostan Rexhepi, kur dihet se ai u vra në përleshjet e rrepta të Lojmes, më 17 qershori 1946, kur u rrethua çeta atdhetare e Muharrem Bajraktarit dhe e Dostan Rexhepit. Po ashtu thuhet se forcat ushtarake kanë numëruar nja 1200 ushtarë, gjë që bëhet pyetja se si e diti ai atë?! (A mos ka bashkëpunuar ?!). Ky numër nuk mund të besohet assesi, sepse ata do të shiheshin nga fshatarët e Llomnicës dhe nuk kishte nevojë për një grusht të arratisurish të përdorej gjithë ajo force. Por, padyshim duket se ka qenë një numër i konsiderueshëm, mbase një kontingjent prej nja 150-200 ushtarësh, sepse nga luftetarët flitej se janë vrarë nja 100 ose pak më tepër prej tyre në ato përleshje një- ditore (Përleshja e ditës së fundit).
Sipas pjesëmarrësit Ramdan Tasimit, i cili ka jetuar gjer më 1951 në Prizren, të z. Emër Kolgjinit, i cili ende jeton dhe të z. Neshat Hamz Bilalit, i cili është ende gjallë e i fortë në Amerikë, (libri i këtij të fundit citohet në bibliografi, por jo ndonjëri i Esat Bilalit), kemi shkruar shumë here për këtë ngjarje. Së pari, kemi shkruar në “Shqiptari i Lirë” më 1966, New York. Pastaj për këtë ngjarje me shumë është folur në librin e Esat Bilali me titull “Shkrime historike”: Kosovë – Tetovë, Gostivar dhe Kërçova, 2001. Po ashtu ka shkruar edhe poeti Agim Spahiu “Refleksione“, Radio Kukësi (1993). Kjo ngjarje është përpunuar dhe botuar në gazetën “Fakti” (Ibid), të cilin shkrim e përmend autori i librit, nga i cili duket se i ka marrë emrat, ndonëse gabimisht, dhe e lavdëron autorin e këtij shkrimi, sigurisht se për t’i hjedhë hi syve, por përmbajtjen e tij e lë pasdore. Po ashtu, së fundi disa atdhetarë të Pollogut kanë bërë një dokumentar për veprimtarinë e prijësit popullor Hamz Rexhepit. Edhe në Kukës me përpjekjen e poetit Agim Spahiut, është bërë një dokumentar për veprimtarinë luftarake të Hamz Rexhepit dhe familjen e tij nga televizioni shqiptar sipas dëshmive të z. Neshat Bilalit. Në Tiranë, më 2001 e përkohshmja “Koha jonë” ka botuar shkrimin e Esat Bilalit bashkë me foton e çetës së Hamz Rexhepit dhe me të dhëna për historikun në fjalë të Essatit dhe të tjera. ”Prandaj kur thuhet se për këto gjëra asgjë nuk mund të shkruhet pa mixhën Xhelë, i cili është gjallë. Ku ta kemi fatin që t’i sqarojmë këto gjëra dhe ngjarje, këto rrjedha realisht, siç thuhet nga dora e parë, nga dëshmitari okular. Nga vetë pjesëmarrësi dhe organizatori (Jo vetëm të vjen të qeshësh kur i dëgjon këto llafe) i luftërave (sic)” dhe jo vetëm ngel me gisht në gojë, por edhe shkulesh së qeshuri për këtë rrenë fashisto-komunisto-serbiste të klaneve të papunë të Bruxelless-it. Pra, Xhela ka qenë shumë i vonur dhe 94 ose 96 vjetëshi i tij e ka bërë si fëmijët kur bëhen pleqtë në atë moshë…Megjithatë, kjo ngjarje të cilën e ka falsifikuar dhe e ka tjetërsuar Xhelë Xhelili dhe autori i librit, i cili ka hyrë në punët e huaja, jo vetëm duke mos qenë historian, por edhe duke mos ditur fare për historikun dhe duke mos pasur fare qëndrim kritik për informacionin që i ka dhënë plaku 96 vjeçar i atyre maleve (!), po sqarohet edhe një herë, ndonëse shkurtimisht:
Kronologji e shkurtër e Betejës së Vrasës (Për më shumë shih: Esat Bilali, “Shkrime historike :Kosovë –Tetovë, Gostivar, Kërçovë”, Tiranë, 2001)
Për disa muaj në koliben (kasollen) që ndreqi Hamz Rexhepi në Vrasë buzë Muzdaqes, ku mblodhi luftëtarë si nga Pollogu ashtu edhe nga Luma, kaluan mirë. Por disi pushtuesi serbo-maqedon e kishte nuhatur se në atë anë ishte Hamz Rexhepi, mbase nga marrjet e furnizimeve të ndonjëhershme nga Llomnica, fshati më i afërt. Prandaj, më 30 kallnor 1946, pushtuesi i ri serbo-maqedon dërgon në atë anë disa ushtarë ose policë në trajtë kërkuese. Këta hetohen herët. Prandaj, Qendresa ua vë pushkën, të cilët ikin pa humbje dhe pa plagosje, me që nuk ishte parë gjak, thotë z. Neshat Bilali. Të nesërmen më 31 kallnor, vjen prapë ushtria jugosllave dhe depërton mjaft afër kolibes. Por kjo, nga kujdesi tashmë i Qëndresës, hetohet me kohë dhe, pas luftimesh të ashpra dhe të zgjatura, ushtria detyrohet të largohet, por me pasoja,“sepse ishte parë gjak”, thotë z. Neshat Bilali. Duke e ndjer veten të pasigurtë, Qëndresa vendos të largohet. E prishin koliben dhe shkojnë te stani i Vrasës buzë Muzdaqes, ose te stani i Muzdaqes, siç i thonin atëherë, për të kaluar natën dhe, të nesërmen për të shkuar në Lumë. Ndërkaq vonë, krejtësisht në befasi, vjen Dostan Rexhepi me një pjesë të çetës së tij nga Luma nga se ishte zbuluar kolibja e tij në Lusën dhe, duke mos patur se ku të shkojnë, vendosin të kthehen në koliben e mëparëshme. Natën e 31 kallnorit dhe të 1 shkurtit e kalojnë aty. Me 1 shkurt 1946, meqë u bë një ditë e ftohtë ku fishkëllonte veriu me tërbim, me dëborë e furtunë, ushtria jugosllave nuk vjen. Prandaj ata qëndruan në kolibe, ku pushuan mjaft mirë. Por të nesërmen herët në mëngjes, më 2 shkurt, del Hamz Rexhepi për ta kontrolluar vendin dhe sheh një varg ushtarësh. Prandaj shpejt e shpejt e prishin koliben, e mbulojnë me dëborë, bien buzë Muzdaqes dhe zënë pusitë, sipas urdhërave të Hamzit. Ushtria, të cilën ata e shikojnë, vjen aty afër kolibes. E kontrollon vendin dhe, duke mos gjetur gjë, shkon kah stani i Muzdaqes, sigurisht se duke menduar se mos janë atje të arratisurit, mbase duke u drejtuar nga dikush që i njihte ato vende. Por, duke mos gjetur gjë atje, kthehen. Dhe kur vinë te ledina që quhet tani “Livadhi i Hamzës” (Amzova Livada, është në hartë), fillojnë të gjuhen midis tyre me topa dëbore dhe afrohen buzë lumit Muzdaqe ku ishte vendosur prita e Qëndresës. Në këtë çast, marshinka e Hamzit vjell zjarr dhe pushka vlon me të tjerët gjer vonë, duke grirë një numër të madh të ushtarëve… Duke ikur një pjesë e ushtrisë, pushka ashpërsohet në anën ku ishte Dostan Rexhepi me një pjesë të luftëtarëve. Duke u frikësuar se mos janë rrethuar, Hamzi del nga pusia ku ishte pozicionuar me Elmaz Çejkun dhe Ramadan Bresën për t’u shkuar në ndihmë. Ndërkaq, një ushtar i plagosur nga z. Neshat, të cilin e sheh se kishte lëvizur dhe ua tërheq vërejtjen shokëve, e godet Hamzin në kraharor me një të qëlluar dhe, duke thënë se “Dajë na vranë”, shtrihet për toke. Ushtari asgjësohet nga Elmazi, thotë Emër Kolgjini. Lajmi i vrasjes së Hamzit bëhet shkak për ndërprerjen e luftimeve edhe ashtu të përfunduara… Z. Emër Kolgjini tha se “Ajo ka qenë një fitore e madhe e jona. Por vrasja e Hamzit na e prishi…”.
Sqarojmë se Qëndresa kundër pushtuesit serbo-maqedon, nuk ka qenë e organizuar në formacione të tipit ushtarak, siç thotë Xhelë Xhelili, me komandantë e pa komandantë! Po sidoqoftë, meqë shumica dërrmuese e atyre luftëtarëve ishin luftëtarë, farë e fis dhe miq të Hamz Rexhepit ose të njëri-tjetrit, kurse edhe Bajram Dobërdolli, Hazir Tërnova dhe Zylbehar Derveni, më të moshuar dhe me përvojë të madhe, ekzistonte kuptimi i disiplinës dhe njihej dikush si i parë. E kuptueshme në këtë rast ishte Hamzi, prijësi popullor i asaj çete, kundërfashisti militant në Lumë, luftëtari kundër italian në Gradec-Gorjan dhe organizatori i një numri të fushatave dhe pjesëmarrësi i luftimeve kundër pushtuesit serbo-maqedon komunist i më shumë se 10 fushatave, me krerët si Xhemë Simnica, Mefail Zajazi dhe popull të Pollogut, ndër të cilat tri konsiderohen të mëdha. Njëra ishte ajo e Llazropolit, që jo veç e organizoi, por edhe e udhëhoqi Hamz Rexhepi (shtator 1944), e cila e shkatërroi atë bazë serbo-maqedono-komuniste; tjetra ishte ajo e Malit të Thatë (nëntor, 1944), që jo veç me çetën e vet, por mundi të tubojë disa qindra luftëtarë vendas, të cilën e filloi vetë me forcat e tija Hamz Rexhepi, ndonëse kishte për të ardhur edhe Xhemë Simnica dhe Mefail Zajazi me forca të tyre, por që erdhën më vonë, kurse Hamzi e filloi vetë në Koritë dhe e përfundoi me shkatërrimin e asaj baze; ajo e Vrasës buzë Muzdaqes, ku u shkatërrua një pjesë e ushtrisë pushtues serbo-maqedone”, vëren Adem Gjana (Letra e cituar,…).
Pasojat e Betejës së Vrasës buzë Muzdaqes kanë qenë të rënda për Qendresën. Të gjithë luftëtarët, pas fshehjes së kufomës së Hamz Rexhepit, në atë dimër të acart kur dëbora binte papushuar dhe veriu frynte duke fishkëlluar, u nisën për në Lumë. Disa prej tyre, si vëllau u Xhemës Musliu, Zylbehar Derveni me ndonjë tjetër, e humbën rrugën dhe u ndanë që në Restelicë nga shokët. Te stanet e Çajës prapë u bë një ndarje tjetër, më 3 shkurt. Dostan Rexhepi, vëllau i Hamzës, u ftoh në këmbë dhe vuajti shumë. Po ashtu u ftoh edhe Ramadan Tasimi. Sulë Asllani, duke qenë i ftohur keq, vdiq. Bajram Dobërdolli, Xhelë Xhelili dhe Izmit Dervrni shkuan për Tiranë. Hazir Tërnova gjithashtu i ftohur ngeli në Lumë, ku do të kapet në Lusën dhe do të burgoset…
Xhela dhe relacionet e tij të imagjinuara, për të mos thënë rrenat e mëdha, me atdhetarin e shquar Muharrem Bajraktarin.-
Duke u paraqitur se gjoja ka qenë dikush, Xhelë Xhelili përpiqet të shfrytëzojë figurën e Muharrem Bajraktarit, një atdhetar i mirëfilltë shqiptar nga visi i Lumës. Ai në faqen 153, ndër të tjera, thotë: “Muharremi ishte përgaditë që të ikë për në Greqi. Ma kishte dërguar një njeri që të bashkohemi edhe ne me të.”(Kurse në një vend tjetër thotë se ia kishte çuar një fjalë). Ky mendim përbën një çast halucinacioni dhe të bënë të këputesh së qeshuri. Në atë kohë Xhela ka qenë diku në Tiranë ose, siç thotë ai, në Shqipëri të Mesme, po me saktësi askush nuk e ka ditur se është gjallë. Sikur të ishte e vërtetë kjo, ai do të përmendej në ndonjë relacion. Pastaj Xhela tregon edhe ëndrra të tjera gjoja me relacionet me Bajraktarin. Po Xhela kurrën e kurrës, sa ka qenë i arratisur, nuk është parë me Muharrem Bajraktarin para 1946-tës. Sikur ëndrrat e tija të kishin ndonjë mbështetje, këtë do ta dinte z. Neshat Bilali, i cili para 1946-tës dhe pastaj gjer kur kanë shkuar në Greqi, ka qenë njëri ndër njerëzit më të ngushtë të Muharrem Bajraktarit. Prandaj, sa është e vërtetë që Xhela nuk është parë kurrë me Muharrem Bajraktarin, po aq është e vërtetë që Muharrem Bajraktari kurrë nuk i ka dërguar njeri atij, madje as fjalë për ta ftuar për të shkuar në Greqi, siç bëri me një numër kosovarësh, sepse Xhela ishte një njeri i pakurrëfarë rëndësie. Posë kësaj, po të ishte e vërtetë, atë do ta kishte shënuar edhe Bajram Bajraktari, vëllau i Muharrem Bajraktarit, në “Promemorjen” e tij, më 1948. Ai është arratisur për shkak të vrasjes së karpuzxhisë dhe të asaj uniformës naziste që ka pasë veshur, jo për atdhetari. Po, në të vërtetë Xhela, është parë me Muharrem Bajraktarin në kampet e Greqisë. Ka mundësi të jetë parë edhe në Bruxelless të Belgjikës, ndonëse kur qesh më 1975 në Begjikë, Xhelën e quanin të kuq dhe thonin se bënte pjesë në kampin e Enver Hoxhës…Xhela e pohon vetë këtë.
Se Xhela nuk ka pasur lidhje me punët e Muharrem Bajraktarit, shihet edhe nga pohimet e tija në faqen 148, ku thotë: “Por kur Muharrem Bajraktari deshti tua merr partizanëve komandën në katundin Lajme (mendon për Lojmen), partizanët ia kthyen pushkën. Kështu ai doli në mal”. Se sa e pavërtetë është kjo, mjafton t’i thuhet Xhelës dhe autorit të librit se në Lojme (17 qershor, 1946), ku ishin të bashkuara të dy çetat ajo e M. Bajraktarit dhe e Dostan Rexhepit, u rrethuan nga forcat e ndjekjes të Shqipërisë dhe aty u vranë katër burra: Dostan Rexhepi, bashkëluftëtar i M. Bajraktarit, Tosun Çejku dhe djali i tij Elmazi, luftëtarë të çetës së Dostan Rexhepit dhe luftëtari Sefë Xheladini, kushëri i M. Bajraktarit. Kurse Bajram Bajraktari, vëlla i M. Bajraktarit, u plagos dhe z. Neshat Bilali u kap fytas me një oficer të ushtrisë së ndjekjes. Ndeshja në Lojme, pra, ishte ndeshja e fundit me komunistë pas afër dy vjetësh në mal. Z. Neshat me gjithë nderin e tij njerëzor dhe atdhetar deklaron se gjatë vitit 1944, 1945 dhe 1946, Muharrem Bajraktari kurrë nuk ka dalur nga Luma për në vise të Kosovës dhe kështu nuk është parë me Xhelën.
Po e pavërteta më e madhe, për të mos thënë rrena më e madhe e Xhelës, është kur thotë në faqen 150 se “…me Korronel Muharrem Bajraktarin mund t’ju thom se një pjesë të luftës dhe jetës e kam kaluar me të”, kur dihet absolutisht se Xhala gjatë luftës kurrën e kurrës nuk është parë Xhela me Muharrem Bajraktari, kuptohet se sa e vërtetë është thënia.
Pas nivelizimit me atdhetarin e njohur M. Bajraktarin, Xhelë Xhelili përpiqet që ta asgjësojë Muharrem Bajraktarin dhe kështu të shkëpusë edhe nga ai ndonjë gjë siç bën nga Hamz Rexhepi. Kështu ai e quan Muharrem Bajraktarin bashkëpunëtor të Drazha Mihajloviqit, duke thënë se “Thuhet se Muharremi ka bashkëpunuar meDrazha Mihajloviqin, dhe se ia kanë gjetë në shtagë krroqe letrat të cilat kanë dëshmuar se ai vërtetë për t’i realizuar qëllimet e veta nuk ka zgjedh mjet (Sic)”, faqe 148. Pastaj në faqen 147 shton: “Ka shkuar në Itali ku ndejti gjer më 1939”, harron se ai ka qëndruar në Francë dhe vetëm kur u kthye në Shqipëri kaloi nëpër Itali. “Muharremi atëherë hikën në Jugosllavi dhe shkon te Pashiqi. “ Tani ka ardhë koha që t’ua japim skelet e detit, ato që nuk ua ka dhënë Zogu, me kusht që të më ndihmoni që të kthehem në Shqipëri! Ia parashtron kërkesën e vet Muharremi (sic)”. Duket se Xhela bashkë me autorin kanë qenë nën tavolinë kur i ka bërë këto llafe Muharrem Bajraktari me shovenistin e urryer serb Nikolla Pashiqin!? Dhe pastaj si Gebelsi e frynë shumë e me mjeshtëri që të besohet sado pak:“ Për ta mbyllur kapitullin për shkatërrimin e Muharrem Bajraktarit, Xhela do të thotë edhe këto: “Muharrem Bajraktari kishte pohuar sa herë se nuk kishte luftuar kundër forcave të Zogut e as atyre të Enver Hoxhës, tha axha Xhelë” (sic), faqe 152, gjë që mohon qëndresën afër dyvjeçare kundërkomuniste të Muharrem Bajraktarit, të cilën e pagoi shumë shtrenjtë me humbjen e dy djemve, të miqve, bashkëluftëtarëve, luftëtarëve…Se këto të gjitha çka thuhet për atdhetarin dhe burrështetarin, Muharrem Bajraktari, nuk qendrojnë dhe se Xhela nuk e ka parë atë, siç është thënë më lart, kurrë në Shqipëri (Lumë e Mirditë) gjatë luftës, dëshmon edhe i biri i tij, z. Esat Bajraktari, i cili ka qenë me të gjithnjë dhe në të gjitha zjarret e tij të luftës, duke pohuar se Xhelë Xhelili është parë me Muharrem Bajraktarin VETËM NË GREQI, NË KAMPE.
Sqarime për disa çështje të tjera
Në libër ka shumë gjëra të habitshme. Për t’i sqaruar këto, duhet të shkruahet së pakut një libër tjetër me shumë e shumë faqe. Për ta shmangur këtë punë të mundimshme, por shumë të nevojshme për hir të së vërtetës, do të përqendrohemi vetëm në disa prej tyre, ku ka dhunime të hatashme për historikun e Pollogut dhe të kombit shqiptar.
Në faqen 82 bëhet fjalë për një farë letre që paska dërguar Xhelë Xhelili me rastin e inagurimit të bustit të Skenderbeut në Shkup (më 28 Nëntor, 2006). Xhela i mbajtur si kapadai, madje i madh, thotë ”Më lejoni që tu shprehë mirënjohje të gjith luftëtarëve dhe heronjëve të popullit tim liridashës. Lavdi dëshmorëve”.
Në këtë listë Xhela shënon emra të ndryshëm si dëshmorë. Po një shumicë nga këta nuk kanë vdekur në fusha të betejave kundër pushtuesit serbo-maqedon me përjashtim të Hamz Rexhepit, Ajvaz Kalishtit, Rexhë Negotinës dhe Izet Dobërdollit. Po sido që të jetë, puna e të tjerëve, të cilët nuk i njohim mirë, atje gjendet edhe emri i diktatorit Enver Hoxha si dëshmorë. Por ky nuk mundet të quhet dëshmor i kombit shqiptar, sepse ai nuk ka vdekur në fushë të betejës kundër armiqve të kombit, por në prehër të Nexhmie Hoxhës…Xhelë Xhelili dhe Halit Elshani, nuk duhet të talleni me dëshmorët e kombit shqiptar dhe me historinë e tij!!
*Në faqen 124 bëhet fjalë për shumëçka. Po mua më tërhoqi vëmendjen thënia: “Morëm vesht se konakun e Kamber Arifit ku kishte qenë babai dhe Lokë Lokovica, njëri prej trimave të njohur, e kishin rrethuar dhe ia kishin nisë pushkës. Me këtë rast vritet komandanti Milo, i njohur për reprezaliet ndaj shqiptarëve. Por pas vrasje së këtij sllavokomunistët e djegin tërë katundin….(sic).
Incidenti me Lokë Llokovicën dhe ushtrinë jugosllave, ashtu siç është thënë nuk qëndron. E vërteta është kështu: Lokë Llokovica ishte strehuar te Sadik Xhaferi, që e kishte shtëpinë në krye të fshatit, afër shtëpisë së Rrahman Ali Qehajës…Dikush e lajmëron OZN-ën (Jonuzi). Me të ardhur ushtria në Kalisht, ajo e rrethon fshatin. Në këtë gjendje, Loka del nga shtëpia dhe ndesh në roje. Ai i vret të dy dhe ikë në malet aty afër. Ushtria e arreston Sadikun dhe vllaun e tij, Shaqirin, të cilëve ua djeg shtëpitë.. Përpiqet ta djegë edhe atë të Rrahman Ali Qehajës, por nuk ia arrinë. Pra, nuk është djegur tërë fshati Kalisht. Pastaj i mblodhën tërë burrat e fshatit te Xhamia, ua lidhën duart në atë acari dhe përmes dajakut të tmerrshëm, i dërguan në Gostivar. Babai i Xhelës, Hajrullahu, ka qenë gjithnjë te mulliri duke bluar drithë dhe askush nuk e ka pasë shqetësuar…Te xhamia u pushkatua dikush…
*Në faqen 127, midis atij tarllabuçi, thuhet edhe kjo.”Muharrem Bajraktari ishte në mal. Pasi u takuam, ne u bëmë bashkë. Dhe vazhduam në Mirditë për të sulmuar brigadën e tetë partizane që e quanin “Brigada e Muharrem Bajraktarit”, pasi kjo brigadë e kishte për detyrë ta liquidojë Muharrem Bajraktarin. Gjatë rrugës na u bashkuan afro edhe 50 vetë. U vendosëm nëpër shtëpiat e njerëzve tanë. Aty qendruam afro dy javë (sic)”.
Një mendim i këtillë nuk mund të vlerësohet ndryshe posë një ëndërr patalogjike që e shohin vetëm të çmendurit me sy hapur si Xhelë Xhelili dhe autori i librit në fjalë, që nuk ka haber për historinë. Dostan Rexhepi, vëlla i Hamz Rexhepit dhe z. Neshat Bilali, bir i Hamz Rexhepit dhe nip i Dostan Rexhepit, kanë qenë gjithnjë me Muharrem Bajraktarin pas vrasjes së Hamz Rexhepit. Kështu, Xhela nuk është takuar kurrë gjatë dhe pas luftës me Muharrem Bajraktarin kur ka qenë i arratisur. Muharrem Bajraktari kurrë nuk ka shkuar në Mirditë duke ndjekur partizanët dhe çifti i Xhelës ka qenë shumë i vogël që të tërhiqte vëmëndjen e Muharrem Bajraktarit kur ai e dinte shumë mirë se ajo anë ishte nën ndikimin e Hamz Rexhepit, merri me mend 200 hajdutët kur erdhën për të plaçkitur Gostivarin! Po Xhela me këto ëndërra të tija duket se përpiqet ta shkatërrojë Muharrem Bajraktarin duke u barazuar me të, ashtu sikur përpiqet ta shkatrrojë e ta përvetësojë luftën e Hamz Rexhepit, njësoj si bëjnë fashistët e rinj të Muharrem Bajraktarit. Vetë Xhela thotë se gjoja i ka thënë në Belgjikë Muharrem Bajraktari se “nuk kam luftuar kundër komunistëve…”
E vërteta është ndryshe. Kur Luma nën drejtimin e Muharrem Bajraktarit, bashkëluftëtarit të tij Dostan Rexhepit dhe të tjerët, ishin në luftën frontale në Kukës kundër pushtuesit gjerman (gusht, 1944), erdhi Brigada e Pestë Sulmuese partizane në Lumë. Ajo e goditi Muharrem Bajraktarin prapa krahëve për ta vrarë, por nuk mundi. Muharrem Bajraktari me forcat e tija e lëshoi frontin kundër gjerman dhe u largua. Kjo ka ndodhur më 10 gusht 1944. Pas kësaj date filloi lufta kundër partizanëve në Lumë, të cilët u ndihmuan edhe nga partizanët maqedonas, kundër të cilëve Hamz Rexhepi me të tjerë ndërmori fushatën e Malit të Thatë dhe kur Xhela nuk njihej për së gjalli…
*Në faqet 237 – 241 bëhet fjallë për shumë gjëra si ëndrra pa mbështetje reale. Në këtë mes përmendet edhe atdhetari Hamz Rexhepi. Ndër të tjera po veçohet: “…Nga Karadaku i Shkupit kemi kthyer në Andrejovë (Zastovë). Aty e kemi pasë edhe shtabin, (që nuk ka ekzistuar -EB). Aty edhe ka qenë lufta e fundit. Kemi bërë luftë edhe në Militinë. Kjo luftë është zhvilluar pas asaj të Sogores. Aty ishin Hamëz Rexhepi e Bajram Dobërdolli. Unë e Bajram (Hamz – EB) Rexhepi morëm vesht se komunistat u kanë dhanë atyre nga 30 lira të arta dhe i kalojnë ata përmes katuneve e përmes fushës drejt e në bjeshkët e Thata, Sogore” (sic).
Pas sulmit që i bëri Brigada e V Sulmuese e Shefqet Peçit Muharrem Bajraktarit në Gjostil për ta vrarë, e detyruan atë ta lëshojë frontin kundër gjerman. Në ndërkohë një ushtri komuniste nga Luma e sulmon stanin e Muzdaqes, që ishte i Hamz Rexheit dhe për të cilin ai kujdesej. Pas luftimesh të ashpra me ruajtësit e çetës së Hamz Rexhepit, të cilët i lëshojnë pozicionet, duke lënë disa dhenë të vrara, partizanët hynë në stan dhe e kërkojnë Hamz Rexhepin. Islam Lushi nga Vrapçishti, i cili ishte qehaja i stanit, u thotë atyre që Hamzi është lajmëruar për ardhjen tuaj dhe ka shkuar në Gostivar për të marrë forca. Me ta dëgjuar këtë, partizanët u bien këmbëve. Fill pas tërheqies së tyre, Hamzi vjen me disa luftëtarë, të cilët i ndjekin partizanët. Ndërkaq, lusjanët ua vunë pushkën partizanëve në shtator 1944 në Kolesjan, prirë nga Daut Çejku në fillim dhe pastaj nga Bajram Ramadani dhe më vonë nga shumë fshatra të Lumës. Luftimet qenë me pasoja të rënda sidomos nga ana e partizanëve, por më vonë, të ndihmuar edhe nga partizanët maqedono-shqiptarë, forcat kundërkomuniste u thyen, me pasoja shumë të rënda, me pushkatime në masë të njerëzve të pafajshëm në Lusën e sidomos në Buzmadhe.
Në ndërkohë, partizanët maqedono-shqiptarë tëriqen nga Luma, duke kaluar nëpër bjeshkë të Kuqibabës, fshatit Pozharan, përmes fshatrave Dobërdoll dhe Toplicë dhe shkojnë e vendosen në Mal të Thatë (Suva Gora), diku afër fshatit Koritë.
Për shkak të sjelljes së egër të këtyre partizanëve në Lumë dhe po ashtu për shkak se e kërcënonin edhe Pollogun, Hamz Rexhepi do të përpiqet me mish e me shpirt për të ndërmarrë një fushatë kundër tyre. Për këtë e kërkon edhe ndihmën e Xhemë Simnicës edhe të Mefail Zajazit, të cilët si rëndomë, pajtohen pa fije kundërshtimi me të dhe e caktojnë datën e fushatës.
Në ndërkohë Hamz Rexhepi bisedon me shumë veprimtarë në anën e ndikimit të vet, duke grumbulluar disa qindra popull vulnetarë dhe atdhetarë të flaktë nga një numër fshatrash të Pollogut, të ciët ishin gati për të vdekur kundër pushtuesve të rinj serbo-maqedonë. Të prirë nga çeta trime e Hamz Rexhepit, që përbëhej në atë çast nga Sabri Çejku, Adem Gjana, Elmaz Tosuni, Elez Dauti, Hasan Tosuni dhe trima të tjerë nga Pollogu, arrinë herët në fshatin Koritë. Duke u drejtuar nga hoxha i fshatit, i hetojnë se ku ishin të vendosur forcat armike sllavo-komuniste. Luftimet bëhen shumë të ashpëra, sidomos në pikën ku gjendej çeta e Hamz Rexhepit. Më vonë vinë edhe forcat aleate të Xhemë Simnicës dhe të Mafail Zajazit: Pjesëmarrësi i çetës së Hamz Rexhepit, Adem Gjana thotë: “… po ma të ransishme për Hamzin janë lufta në Sogore, dmth. shkatrrimi i shtapit komunist në Poreçe, e cila luftë asht kryesue prej tij dhe u krye me sukses. Në të kanë marrë pesë edhe Xhema e Mefaili, por ata kanë ardhë në ndihëm, se luftën ma para e ka fillue Hamzi” (15.8.1966, Liege, Belguque). Kështu i fusin para forca komuniste duke i vrarë ose duke i detyruar që të ikin. Natyrisht se në lufta, si në të gjitha ndërmarrjet, për fitoren luajnë rol edhe mashtrimet e ndryshme. Thonin luftëtarët se, për t’i mashtruar partizanët maqedonë, në mes të zjarrit, Hamzi ua sheshon kësulën e tij, të cilën e vrasin dhe turren përpara. Në këtë rast ai dhe luftëtarët e tij, ua kthejnë zjarrin duke asgjësuar një numër prej tyre. Lajmi përhapet se “kapedan Hamz Rexhepi u vra” në atë ditë Bajrami të vjeshtës së vonë 1944. Prandaj një numër luftëtarësh e lëshojnë frontin. Po shpejt merret vesh se kjo ishte rrenë, thonte Adem Gjana. Prandaj luftëtarët kthehen dhe lufta vazhdon gjer në asgjësimin e asaj force serbo-maqedone, por edhe me pasoja të rënda nga Qëndresa, se u vra miku i madh i Hamz Rexhepit, Izet Dobërdolli, Ramiz Mediu nga Kalishti dhe të tjerë…
Këtu, pra, nuk ka qenë Hamz Rexhepi vetë, siç thotë Xhelë Xhelili, që tregon se ai nuk di gjë për atë ngjarje, por me çetën e tij trime dhe një mori luftëtarësh nga Pollogu prej më se 200 vetësh, të cilët kishin edhe mitroz të rëndë, që e përdorte Sabri Çejku. Prandaj, këta trima luftëtarë, lumjanë e pollogas, nuk duhet të harrohen, siç bën Xhela, duke u përpjekur për ta nxjerrë veten si kampion, kur nuk dihet as pjesëmarrja e tij, as ndonjë veprimtari e dalluar e tij, siç ndodhi me shumë pollogas të tjerë. Por një gjë dua të nënvizoj në këtë rast, atë se si luftonin këta burra kundër sllavo-maqedonasve: Njëri përgatitej për luftë dhe i ftonte të tjerët, të cilët e pranonin dhe luftonin kundër armikur bashkarisht dhe anasjelltas, tjetri…
Se Xhelë Xhelili nuk di, si të them, se çka thotë, shihet nga shumëçka, por më së miri e tregojnë edhe dy gjëra. Njëra është se ai nuk e din datën se kurë ka shkuar në Shqipëri dhe tjetra numrin e ushtarëve jugosllavë e tregon me numra të ndryshëm, një e vërtetë tjetër që e vërteton më tej atë.
“Një herë te axha Xhelë, duke ndejtë e duke pirë kafenë e mirëseardhjes, mu kujtua se e ka bërë operacion këmbën në spialin e Tiranës në vitin 1945”, faqe 177. Data nuk qëndron.
Në vitin 1945, Axha Xhelë i z Halit Elshanit ka qenë në Kalisht, mbase duke hëngër pogaçë, duke zier ose pjekur gështenja çorofka të livadhit në përrua ose kollomoq të larë me hi! Kur nuk e mban mend këtë Xhela, nuk e di se çka mban mend tjetër! Kurse në Tiranë ka shkuar në fillim të vitit 1946, fill pas Betejës së Vrasës me dy shkurt, kur e gjithë çeta e Hamz Rexhepit, pjesëtar i së cilës ishte edhe ai në atë rast, shkuan për Lumë dhe ai me Bajram Dobërdollin dhe Izmit Revenin u bënë “tebdil” dhe shkuan për Tiranë. Kur axha Xhelë i autorit Halit Elshanit nuk e mban mend një datë aq të rëndësishme për Xhelën, nuk e di se si mund të besohet Xhela për ndonjë gjë tjetër!?
*Se Xheala nuk mund t’i përshtatë rrenat e tij shihet edhe nga paraqitja e numrit të ushtarëve serbo-maqedonë në Vrasë. Në faqen 132 thuhet: “…pasi çanë rrethimin e 1200 ushtarëve sllavo-komunistë duke i shkaktuar armikut afro 100 të vrarë dhe të plagosur” (sic). Në faqen 131 thuhet: “Kështu i kemi befasuar dhe në luftë e sipër kemi vrarë dhe plagosur 131 veta” (sic). Kurse në faqen 139, shënohet se armiqët numronin 80 veta. Pas kësaj beteja ne u përgaditëm, e lamë vendstrehimin tonë dhe shkuam në Lumë…” (sic). Në faqe 198 shton: “Në shumësinë e luftrave, pritave, befasive veçohej ajo e zhvilluar janar 1946 (në të vërtetë më 2 shkurt 1946), kur me 120 ushtarë ishin rrethuar në Vrasë nga ana e forcave ushtarake e policore serbo-maqedonase (sic)! Cila është e vërtetë? – Në këtë mes nuk ka asnjë të vërtetë!!! Po është e habitëshme dhe të lë me gusht në gojë ajo se si nuk e ka hetuar këtë autori i librit, z. Halit Elshani!
*Në përpjekjet për të ndryshuar të vërtetën, Xhela dhe autori i librit nuk do të lënë gurë pa lëvizur. Kështu për z. Neshat Bilalin në faqen 155 thotë: “Anëtar i Ballit Kombëtar shkruan se ne nuk u larguam se ishim bashkëpunëtorë të okupatorit, por se kishim kapur armët kundër okupatorit dhe kundër diktaturës komuniste. Nuk ishim për t’ia dorëzuar Kosovën Serbisë ashtu si bënë komunistët (sic)”. Një pjesë e kësaj thënie nuk qëndron. z. Neshat Bilali, si pjesë e çetës së Hamz Rexhepit, e Dostan Rexhepit dhe e Muharrem Bajraktarit, nuk ka qenë kurrë ballist dhe nuk i ka takuar asnjë partie politike, por ka luftuar pushtuesit për vite si atdhetar. Po ashtu, një dokument i OZN-ës (1945) për Hamz Rexhepin thotë se ai ka qenë ballist. Edhe kjo nuk qëndron, pasi ai, gjithashtu, nuk i ka pasë takuar asnjë grupi politik, duke përfshirë edhe atë Ballin tuaj, por ka qenë luftëtarë me çetën e tij kundër të keqes kombëtare – fashiste, naziste dhe serbo-maqedone…Ballistë quheshin në atë kohë nga serbo-maqedonët të gjithë kundërshtarët e tyre për t’i denigruar si bashkëpunëtorë të pushtuesve, se mendohej se Balli ka bashkëpunuar…
*Në faqet 131-133 autori përmes Xhelës flet për betejën e Vrasës me aq shumë përzierje sa pothuajse nuk merret vesh asgjë për shkak të përpjekjes për të fshehur të vërtetën. Se kjo është e vërtetë, shihet në faqen 238-239 ku e përmendë atë përsëri shkel e shko, por gjithnjë duke fshehur diçka. Se kjo qëndron, shihet qartë kur thotë: “Kur hymë në stan erdhën edhe ata shokët edhe u bëmë bashkë. Katërmbëdhjetë veta (sic)”. Fjala është për stanin e Muzdaqes pas përleshjeve të ditës së dytë me ushtrinë jugosllave. Po këtu nuk tregohet se kush ishin ata shokët që erdhën, sepse ata do të tregojnë se kush ishte kreu i atij grupi që kishin bërë luftë ditën e parë dhe i kësaj që edhën. Ata shokët që erdhën, pra, ishte Dostan Rexhepi, vëlla i Hamz Rexhepit, me disa luftëtarë të çetës së tij nga Luma, si Elmaz Çejku, Ramadan Tasimi, z. Neshat Bilali dhe z. Emër Kolgjini. Aty ku ishte atdhetari trim Hamz Rexhepi me disa nga luftëtarët e tij dhe Dostan Rexhepi, bashkëluftëtari i Muharrem Bajraktarit, shihet qartë se kush ka qenë kreu i çetës, sado që Xhela përpiqet t’i fshahë gjërat.
*Pas shumë llafeve në faqen 198 për bëmat kolosale të Xhelës, thuhet edhe kjo: “Në shumësinë e luftrave, pritave, befasive veçohej ajo e zhvilluar më 31 janar 1946 kur me 120 ushtarë ishin rrethuar në Vrasë nga ana e forcave të mëdha ushtarake e policore serbo –maqedonase (sic)!
Kështu siç është thënë pjesa është fund e krye e gabuar, mbase e bërë me qëllime të caktuara për të fshehur të vërtetën dhe për të dalë Xhela pehlivan, por i lyer me vaj për të mos iu parë dregzat. Prandaj, kërkohet një shqyrtim më i thelluar. Së pari, Beteja e Vrasës buzë Muzdaqes nuk ka ndodhur me 31 kallnor 1946. E hetuar me kohë ushtria armike jugosllave, përleshja e parë u bë më 30 kallnor 1946. Të nesërmen, më 31 kallnor 1946, erdhi ushtria tjetër jugosllave, e cila, sigurisht se me dredhi, i afrohet mjaft Kolibes, por edhe kjo hetohet me kohë dhe sulmohet nga Qëndresa dhe, me që “panë gjak”, thotë z. Neshat Bilali, mendojnë se ka pasur të vrarë”…Megjithatë e prishin koliben dhe shkojnë te stani i Muzdaqes, ku takonen me çetën e Dostan Rexhepit, që vjen nga Luma. Duke mos patur se ku të shkojnë, kthehen prapë në kolibe. Më 1 shkurt 1946, me që ishte mot me borë e furtunë, nuk erdhi ushtria pushtuese jugosllave, dëshmon z. Neshat Bilali, prandaj pushojnë gjithë ditën dhe fjetën gjithë natën e gjatë. Por me 2 shkurt 1946, herët në mëngjes, Hamz Rexhepi, duke kontrolluar vendin, (që ishte kreu i asaj çete, sepse ai e kishte ndërtuar koliben, ai kishte grumbulluar ushqim, ai i kishte mbledhur luftëtarët nga Luma dhe nga Pollogu duke përfshirë edhe Xhelën), sheh ardhjen e ushtrisë jugosllave drejt kolibes. Prandaj Qëndresa zë pusitë dhe e pret ushtrinë, me trimat lumjanë dhe pollogas, dhe e bën kërmishin që nuk do të harrohet kurrën e kurrës, duke lënë të shkruar në vend e në kujtesë të popullit emrin e vendit të betesë: LIVADHI I HAMZËS…
Xhelë Xhelili, duke pasë gjetur mirëkuptim shpesh në çetën trime të Hamz Rexhepit, nuk duhet, me dredhi e pafytyrësi, të përpiqet ta përvetësojë mundin dhe gjakun e të tjerëve, madje të Hamz Rexhepit, i cili humbi jetën dhe i vdiq babai nga vujtjet bashkë me bashkëshorten e tij pas rrethimit shtëpiak disavjeçarë. Atdhetarët e Pollogut nuk duhet të heshtin ndaj kësaj padejtësie historike të Xhelë Xhelilit, i cili nuk ka paguar asnjë çmim në luftën e madhe të popullit tonë për liri, kurse tash na del si kampion, madje duke zëvendësuar Xhemë Simnicën…!?
*Pra, libri i z. Halit Elshanit ”Çeta e Gostivarit”, nuk përfundon vetëm me konstruksione aprioristike, të cilat u shqyrtuan dhe u sheshuan në këtë përmbledhje. Ai përmban edhe habira të tjera, të sajuara me një imagjinatë jo vetëm të turbullt, por edhe faustiane. Njëra ndër këto është edhe ajo çështja e çetave. Vetë titulli i librit “Çeta e Gostivarit” është një sajesë tejet artificiale. Po aq e këtillë, madje fund e krye absurde dhe dhunë kolosale në historikun e Pollogut është edhe konstrukcioni “Çeta e Kalishtit”…!?
Fjala “çetë”, që tregon një grup njerëzish, më shumë se një, të bashkuar për një qëllim dhe të prirë nga një njeri i dalluar, duhet të ketë disa kushte. Në sajë të këtij përkufizimi, një njeri, një individ, ose një vete, nuk mund të mëtojë se bën çetë. Një individ që mëton se ka çetë, duhet të ketë edhe disa dalloja të tjera, si zotësinë, përvojën edhe aftësinë për të prirë. Po ajo që ishte shumë e rëndësishme për qenien e një çete ishte edhe mundësia për t’i përkrahur anëtarët e çetës me të holla, me ekonomi, me veshëmbathje. Pasi është kështu, Xhela, si i vetmuar që ka qenë, nuk ka pasur çetë, madje nuk ka pasë mundur të ketë çetë. Por në Pollog ka pasur çeta. Njëra ndër to, madje më e rëndësishmja, ka qenë ajo e Xhemë Simnicës, e cila jo vetëm kishte luftëtarë të përhershëm, por edhe aftësi për të mobilizuar numër të madh luftëtarësh. Kjo është parë gjatë luftërave që bëri. Po ashtu, ka pasur qenie çeta luftarake, madje me mjaft efektivitet, e Mefail Zajazit, veçanërisht e dalluar në Kërçovë e gjetiu. Që nga viti 1941 dhe gjer në fillim të vtit 1946, ka pasur çetë luftarake jo vetëm në numër luftëtarësh, por edhe me disiplinë morale dhe luftarake, që e ka treguar veten në një numër betejash rreth e rrotull Pollogut edhe në ndërmarrje të mëdha si në Llazaropol, në Kërçovë e Zajaz, në Mal të Thatë të përmbi Shkupit dhe si në Betejën e Vrasës ajo e Hamz Rexhepit. Ndonëse ato kanë qenë kryesoret, këto nuk kanë qenë të vetmet. E këtillë ka qenë ajo e Haqif Reçanit, e cila ka marrë pjesë në shumë veprimtari luftarake me rreptësi kundër pushtuesve serbo-maqedonë. Po ashtu, mund të thuhet që edhe Lokë Llokovica ka pasur disa njerëz të përhershëm që e shoqëronin. Dallojë thelbësore e këtyre çetave luftarake ka qenë, gjë që duhet të nënvizihet që shqiptarët të mësojnë një mësim, kuptuarja e armikut të përbashkët, miqësia e çiltërt e këtyre krerëve të çetave luftarake dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre i çiltërt për idealin kombëtar. Kështu çdo luftë e madhe bëhej me bashkëpunimin e pothuajse të gjithëve, me përjashtim të asaj të Vrasës, përveç Hamz Rexhepit, të gjithë krerët tjerë të çetave ishin vrarë atëherë.
Pra, nuk ka pasur as çetë të Kalishtit, as çetë të Gostivarit, por ka pasur disa çeta të Pollogut në periudhën 1941-1946 dhe nuk ka pasur në asnjë mënyrë, absolutisht dhe kategorikisht, çetë të Xhelë Xhelilit, i cili bëri vrasjen për karpuzin…më 20.8.1942, u burgos më 26. Shkurt 1944 dhe doli nga burgu i Tetovës më 31.VII, 1944 (Shih dosjen e burgut të Tetovës më 1944). Por nëse mund të flitet për çetë të Kalishtit, një fshat i Pollogut që u përndoq dhe dha tre dëshmorë nëpër lufta të përgjakshme kundër pushtuesit sllav, ka qenë ajo e Hamz Rexhepit, sepse ky, pavarësisht tashmë se ku banonte, e kishte Kalishtin jo veç nën mbrojtje, por edhe bazë, se kishte përkrahës të flaktë, madje shumë. Prandaj, i nderuari ish-bashkëfshatari im, Xhelë Xhelili, vëre dorën në zemër dhe fole të drejtën, siç thonte populli në Kalishtin e ëmbël tonin, “andaj kah del shpirti” dhe mos i merr mëkatet me vete përgjithëmonë!
*Në faqen 148, ndër të tjera, thuhet: “Kur kemi kaluar Drinin na erdhi nji lajm i zi se ishte vrarë Xhema (Simnica – EB). Kjo ka ndodhë në pranverën e vitit 1944. Unë në Lumë u ndava prej Muharremit (sic)!”
Se është e vërtetë që Xhelë Xhelili nuk ka pasur lidhje edhe me Xhemë Simnicën, e tregon edhe injoranca e tij për mbytjen në pabesi të Xhemë Simnicës. Ashtu siç ia kanë pasë dhënë Xhelilët gabimisht datën e mbytjes së Xhemës Tahir Zajmit, po ashtu ia kanë dhënë gabimisht, madje shumë gabim, edhe Halit Elshanit. Por, përgjegjës për këtë është autori dhe redaktori, që nuk i kanë verifikur të dhënat e katundarit Xhelë. Për ta sqaruar datën e mbytjes së Xhemës, Essat Bilali ka pasë botuar një shkrim në gazetën “Shqiptari i Lirë” në Nju Jork më 1966, siç u vu në dukje më lart, ku thuhet se në datën që jepet në libër për mbytjen e Xhemës më 1946, është vrarë Hamz Rexhepi, kurse Xhemë Simnica është mbytë në pranverën e vitit 1945. Kjo është e vërtetë, sepse Hamz Rexhepi dhe Mefail Zajazi me djalin e tij kanë pasë qenë afër vendit ku është mbytë Xhema atëherë, kurse z. Neshat Bilali, ka qenë po ashtu i arratisur dhe e di mirë atë. Këtë pas shkrimit tim e ka pasë pranuar edhe fashisti Tahir Zajmi, i cili më shkroi një letër në shejë pajtimi (shih më sipër). Këtë datë e shënojnë në librin e tyre edhe autorët Ali Llunji dhe Ilaz Metaj, “Xhemë Gostivari”, Tiranë, 2001. Pra data e mbytjes së Xhemës është bërë dituri e mendjes së shëndoshë. Të mos e dijë Xhela këtë datë, është e habitshme, sigurisht se nga se ka qenë strukur në ndonjë kotec pulash dikund dhe nuk e ka pasë marrë vesh, po jo në Lumë e me Muharrem Bajraktarin! Po si është e mundur që koxha autori, i cili duket koxha burrë me atë kapelen dhe kapotën ushtarake gjakatre(?) jugosllave të mos e ketë vërtetuar atë? Po si është e mundur gjithashtu të mos e dijë atë datë edhe ballisti pas vdekjes së ballit Eugjen Shehu! O, tempora, o mores! Mo zo më zi!?
Disa shënime për Xhelë Xhelilin
Duke qenë bashkëfshatar gjatë asaj kohe dhe pak më vonë me Xhelë Xhelilin, mund të them se e njoh bukur mirë atë dhe familjen e tij. Por më mirë e njeh atë z. Neshat Bilali, sepse ai gjindej bashkë me të në çetën e Hamz Rexhepit, por edhe në kamp në Greqi. Xhela ka lindur në fshatin Kalisht të Gostivarit më 1914 (shih vendimin e gjykatës së Tetovës 1944) në shtëpinë që e ka pasur mu nën shtëpinë e Ali Zaimit nën rrugë, pak kah ana e përroit. Pra gjatë luftës ka qenë i ri. Atij i ka pasë vdekur gruaja, që ka pasë lënë një djal, i cili në atë kohë ishte nja 8 ose 10 vjetësh. Ai ka pasur disa vëllezër. Babai i Xhelës, axha Hajrullah, ndreqi te përroi një mulli. Dimë që Xhela ka qenë akuzuar (1942 në Tetovë) për vrasjen e një karpuzxhiu, sepse kishte vjedhur bostan me vëllezërit e tij në një kopsht mbi Negotinë mu nën Kalisht…, gjë që nuk ishte me rëndësi. Por meqenëse karpuzxhiu bëri zhurmë që e komprometoi Xhelën, ky i fundit e vrau atë. Gjatë këaj kohë ai u mor me punët e vresjes. Më në fund Xhela u burgos, më 26 shkurt, 1944, mu në zjarrin e luftës (shih dosjen e burgut) dhe u aratis nga burgu më 31.07.1944, gati në mbarim të saj (shih dosjen e burgut). Pas kësaj Xhela është sjellë për një kohë andaj dhe këndej në fshat. Rrahman Ali Qehaja e paraqiti te Hamz Rexhepi, në çetën e të cilën pastaj gjendej ndonjëherë për të shpëtuar kokën. Më 1944 (në vjeshtën e vonë) Xhela, duke qenë i kërcënuar dhe koritur për shkak të burgut, don të shkojë në Shqipëri, gjoja në Tiranë për të humbur për një kohë, të cilin e përcjellin luftëtarët e Hamzit gjer në Çajë të Lumës, thotë z. Neshat Bilali. Por kur vjen Hamzi me Mefailin nga Luma në verë 1945, Xhelën e gjejnë në Kalisht, thotë z. Neshat… Ndonëse nuk dihet se kurë, Xhela përmend se ka qenë veshur me rroba të “Shqipërisë etnike”, ndonëse gadi në fund të luftës doli nga burgu. Më së shumëti Xhela pastaj qendronte i vetmuar andaj dhe këtej dhe kështu nuk ka marrë pjesë në asnjë veprimtari gjatë luftës, madje as kundër sllavo-komunistëve, gjë që shihet edhe nga mungesa e këtij informacioni specifik në libër, ndonëse ai shënon se ka marrë pjesë në të gjitha veprimet luftarake, pra edhe në burg edhe në luftë! Xhemë Simnicën, si visar, besojmë se e ka parë ndonjë herë, por jo në lufta, po në ndonjë rast të papritur. Pas ripushtimit të vendit nga pushtuesi maqedono-serbë komunistë, Xhela ngeli në mal, për shkak të punës së karpuzit, jo për atdhetari. Më 1945 ka qëndruar një herë i vetmuar te pojata e Nijaziut përmbi shtëpi të Rrahman Ali Qehajës. Pra, Xhela ishte një njeri, i thjeshtë, madje edhe i mjerë, sikur që shihet në foton në faqen 97, “jo ujk zhavlak”. Kur u internuan tre fëmijët e Hamz Rexhepit (Esati, Lihja dhe Muharremi) me familje të Rrahman Ali Qehajës, të Ali Zaimit dhe e Veselit nga Kalishti bashkë me të Shashivar Qerimit nga Gjurgjovishti, ajo nga Negotina, e Bajram Dobërdollit nga Dobërdolli, e Sherif Qafës, e Rasimit nga Vranjofca dhe të tjera më dimrin e vitit 1949 në Shlegovo të Kratovës, babai i Xhelës, axha Hajrullah dhe djali i tij nuk u prekën, gjë që e bënin Xhelën të dyshimtë për sjelljen e mëparshme…Gjatë kohës së arratisjes së Xhelës, ai ndonjëherë është gjetur në çetën trime të Hamz Rexhepit për shkak të kërkesës së Rrahman Qehajës, gjë që i është mundësuar atij të shpëtojë nga fati i zi i atyre visarëve të vet. Ai ndodhi në Betejën e Vrasës se e kishte marrë Hamzi në koliben e tij për ta shpëtuar. Pas saj, kur u shkatërrua çeta e Hamz Rexhepit, Xhela shkoi për Tiranë me Bajram Dobërdollin dhe me Izeir Rvenin nga stanet e Çajës, se nuk mundëte të jetonte më në vendin e vet, ku kaloi një kohë gjatë vitit 1946 duke i shëruar këmbët e ftohura. Mund të jetë kthyer në Pollog dikur, siç thotë, mbase më 1947, për të ikur në Greqi. Pas kthimit të tij në Pollog, Xhela mund të jetë bërë ai që thotë. Këtë nuk e dimë, por i thërras STUDIUESIT e Pollogut që ta hulumtojnë atë kohë dhe luftën e madhe që paska bërë Xhela sa ta zëvendësojë burrin trim Xhemë Simnicën….! Së fundi, duam të vëmë në dukje se dalja e Xhelës në Greqi, nuk ka shënuar një çetë luftarake, por një grup njerëzish, madje ku gjindej edhe një shka, që janë bashkuar për të ikur nga terrori i pushtuesit serbo-maqedon pa zhvilluar asnjë veprimtari, ose kanë qenë njerëz që kanë zhvilluar ndonjë veprimtari individuale, ose me Xhemën e Mefailin, si Xhela me Hamzin, por jo me Xhelën, thotë z. Neshat Hamz Bilali…
*Katër të dhëna:
Këto kohët e fundit, me sa di, janë shkruar nja dy libra që kanë të bëjnë me historikun e Pollogut. Një me autorë Ali Llunji dhe Iljaz Metaj, “Xhemë Gostivari”, Tiranë, 2001, të cilat janë shpërndarë edhe në Kosovë. Këtij libri i ka bërë një vështrim shkruesi i këtyre rrjeshtave. Shih. …Në faqen 86 të librit në fjalë evidentohen emrat e disa krerëve të çetave dhe ndjekësit e tyre, që nuk qendrojnë, sidomos numrat. Ndër këta shënohet edhe emri i Hamz Rexhepit. Për të thuhet: “…udhëheqësit ushtarakë të vullnetarëve të fshatrave të tjera. Ta zëmë për fshatrat Debresh dhe Vrapçisht thoshin se komandant ishte një person nga Luma e Shqipërisë (sic). Ky pra ishte Hamz Rexhepi. Po axhën Xhelë të Halit Elshanit mjerisht nuk e përmendin. Më tej libri përmend fshatrat që ishin nën ndikimin e tij dhe që kishin dhënë ndihmesë luftarake. Një tjetër libër që bën fjalë për historikun në fjalë është edhe ai i Rrahim Sadikut: “Jetë kushtuar lirisë – Monografi për Hajrullah Terpezën”, Prishtinë, 2002. Në të, “Në tubimi në precedel”, faqe 109, posë tjerash, bëhet fjalë për riorganizimin e forcave ushtarake të Qëndresës, më 15 gusht 1945. Aty u zgjodh Hysen Terpeza Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të luftës, kurse Sylë Holta zëvendës i tij. “Shtabin e përbënin këta luftëtarë: Hysen Terpeza, Ibrahim Kelmendi, Sylë Holta, Adem Gllavica, Luan Gashi. Komandantë të batalioneve u zgjodhën: Hasan Kabashi i batalionit të parë; Bajrush Xhakli i batalionit të dytë; Rexhep Okllapi i batalionit të tretë; Shaban Haliti i batalionit të katërt; dhe Ali Din Hoxha i batalionit të pestë. Me titullin e komandant batalioni u njohën edhe Mefail Zajazi, Xhemë Gostivari, Hamz Luma etj., në mënyrë që të kishte mundësi që shtabi i përgjithëm ta shtrinte komandën edhe në ato vise prej nga në momentin e themelimit nuk kishte pasur përfaqësues.(sic)”. Këta burra, pra, e kanë pasë njohur Hamz Rexhepin bashkë me aletët e tij Xhemë Simnicën dhe Mefail Zajazin, sepse ishin njoftë me luftat e tyre. Po ashtu, në një letër që i dërgoi shkruesit Adem Gjana, luftëtar i çetës së Hamz Rexhepit, nga Liege e Belgjikës më 13. 07.1966, pas botimit të shkrimit të shkruesit në “Shqiptari i Lirë” (shih më lart), shkruan: “Përsa i përket Hamzit, edhe unë jam i dëshirit që lufta heroike dhe e pastër pa kurrëfarë interesi nuk duhet që të mbetet kurrë pa u shënue në faqet e historisë…Tash sa u përket luftave që ka ba Hamzi mirë i ke zhvillue, po jo të gjitha, se ai ka marrë pjesë gati në çdo luftë që asht ba atje, sidomos në rrethimin e Kërçovës, në Izvorin e Strugës, lufta në Sogore, dmth. shpartallimi i shtabit komunist në Poreçe, e cila luftë asht kryesue prej tij dhe u krye me sukses (Kanë marrë pjesë edhe Xhema e Mefaili, por ata kanë ardhë në ndihëm se luftën ma para e ka fillue Hamzi). E dyta me ransi asht lufta e Llazaropolit, ku edhe atje forcat janë kryesue prej Hamzit e në at rast pa marrë pjesë as Xhema, as Mefaili dhe lufta pat sukse, dmth. komunistët u shkatrruen…(sic)”. Kurse Bajram Bajraktari në “Promemorjen” e tij (Burgu i Kukësit, 1948), kur flet për përgaditjen e kryengritjes kundërkomuniste, shquan “batalionin special të Hamz Rexhepit dhe planin që kishte marrë ai për sipër për ta ekzekutuar (korrik-gusht, 1945)”. Aty përmendet edhe Mefail Zajazi dhe Haqif Reçani si pjesëmarrës në fazën e dytë të kryengritjes. (Hamz Rexhepi dhe Mefail Zajazi me djal, pasi kaluan dimrin dhe pranverën të Dout Hoxhë Lushi i Çajës dhe një pjsë të verës më 1945 nëpër Lumë, pra afër shtatë ose tetë muaj, u takuan edhe me Muharrem Bajraktarin dhe Dostan Rexhepin në Lajthizë të katund it Fshat të Lumës, të cilëve u jepet plani i sulmit. B. Bajraktari, vëlla i M. Bajraktarit, në “Promemorjen” e tij, nuk përmend ndonjë kapadai tjetër. Këtë e vë në dukje edhe z. Neshat Bilali, i cili ka qenë i pranishëm aty.
Shënim:
Mesa shoh, edhe për Xhemë Simnicën bëhet shumë fjalë në libër të Halit Elshanit përmes gojës së Xhelë Xhelilit, ku shënohet pjesëmarrja e Xhelës pothuajse kudo në veprimtarinë e Xhemës, madje duke e dhënë gabimisht edhe datën e mbytjes pabesisht të Xhemës, pranverë e 1944 (faqe 148) në vend të pranverë e 1945. Si është e mundur kjo? Por specifikat, që e bëjnë historinë të kuptimtë, mungojnë. Meqë nuk e di mirë veprimtarinë e Xhemë Simnicës, ndonëse e kam pasë parë nja dy herë me Hamz Rexhepin, një herë përmbi Negotinë nën Kalisht kur erdhi të takohet me Hamz Rexhepin fill pas rënies së Italisë pushtuese dhe një herë në një kopsht të Gostivarit andej kah Zduja pas asaj ngjarjeje. Ishte burrë i gjatë, pak si i bëshëm dhe i veshur ushtarak, por në kokë kishte plis të bardhë. Më mori në prehër dhe më përgëdheli. Kurse z. Neshati ka qenë me Hamz Rexhepin dhe me Xhemë Simnicën në një numër luftërash. Megjithatë, ne nuk do të flasim për të, sepse duhen hollësi dhe të dhëna të ngurta. Shpresojmë se studiuesit atdhetarë të Pollogut nuk do të heshtin për të, duke lejuar që Xhema i madh të barazohet me Xhelën e vogël, i cili i turbullon ujërat dhe nuk rri në punë të veta, në mjerimin e tij…!?
Neshat H. Bilali, veteran i luftës, Mr. Esat H. Bilali, Sr. Sc.
Nëntor, 2010, USA