Dëshmi për historinë: “pasha këta dy sy”!
Në shtyllën e “Google-it” është futur shkrimi “U promovua libri ‘Çeta e Gostivarit’”, e autorit z. Halit Elshanit. Në këtë shtyllë janë bërë shumë komente rreth përmbajtjes së librit, pikërisht për pjesën që ka të bëjë me historikun e Pollogut 1941-1946. Njëri ndër këta që ka komentuar rreth librit me fakte, dokumente dhe dëshmitarë kundër falsifikimve, shtrembërimeve, konstrukcioneve, vjedhjeve, gjysmëtëvërtetave… është edhe z. Zudi, veprimtar nga Pollogu i Gostivarit. Këtij i përgjigjet z. Halit Elshani me datë 22 maj 2011, me një koment të shkurtër dhe të pambështetur, mbase sepse është shkruar si duke u ngutur. Si i këtillë, është vështirë të kuptohet se çka ka dashuar të thotë z. Halit Elshani, por megjithatë disa përmendje tregojnë diçka.
Në njërën nga këto përmendje sikur thuhet se “sejcili mendon ashtu si e ka përjetue aq sa ka pasë qasje e njohuri (sic)”. Kjo tregon që z. Halit Elshani e kupton historinë si diçka fund e krye subjektive. Me këtë qendrim duket se ai e ka shkruar edhe librin me shumë faqe i përmendur më sipër. Ky qendrim ndaj historisë përbën një diçka si ajo përralla e gjyshes që u tregon nipave e mbesave rreth votrës së zjarrit: “Një herë ka qenë …”. Por kjo nuk përbën histori, madje as për së largu, sepse historia është shkencë shoqërore me ligjet e saja dhe studion ngjarjet historike, e cila ka si strumbullar faktin (të dhënën) autentik. I përzgjedhur nga historiani (njeri me integritet të lartë, i arsimuar dhe i përkushtuar për të vërtetën, vetëm për të vërtetën) dhe i shqyrtuar përmes cilësive të qenësishme historike të shkakut dhe të psojës në rrethanën ku zhvillohet, ai përbën thelbin e ngjarjes historike, e cila konfirmohet më tej përmes shqyrtimit kritik për vërtetësi me të dhëna autentike, me dokumente po ashtu autentike dhe gjithashtu me dëshmitarë autentikë, jo duke bërë be “pasha këta dy sy”. Për më shumë po ju porosisim librin e famshëm: Edward Hallette Carr “Ç’është historia”, Prizren, 201l, 226 faqe, përkthyer nga Essat Bilali. Me pikëpamjen “secili …”, z. Halit Elshani ka shkruar një libër “sui generis”, me shumë faqe dhe me “shto miell dhe shto ujë”, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me historinë e vërtetë të Pollogut (Shih komentet në Google: U promovua…).
Më tej vazhdon: “Nuk është e mundur se ti nuk gjen këso mendime a priori te popujt tjerë edhe si thom unë e jo si thotë tjetri (sic)”. Është e vërtetë që, siç e kuptojmë thënien, nuk gjen këso historie te popujt tjerë, sepse ata nuk e shkruajnë atë me “si thom unë ose si thotë ai tjetri” dhe sjellin benë në vend të evidencës për t’i vërtetuar ato, po me kritere shkencore duke pasur faktin autentik si mbështeje, dokumentet po ashtu autentike dhe dëshmitarët autentikë që flasin me dorë në zemër, madje edhe shkruesin e saj me ndjeshmëri dhe me kulturë shkencore historike, jo me mendësi a priori, po me mendësi a posteriori. Se këtë lëndë nuk e ka përfillë z. Halit Elshanit, mbase sepse nuk ka dashur t’i përfillë dallojat “sine quan non” për historinë, pikërisht si ideologët e së kaluarës, është e kuptueshme, sepse nuk kanë qenë në të mirën e tij. Prandaj ai e ka mbështetur punën e tij në llafosjet e një njeriu për veten e tij, të një plaku 96 vjeçarë, të një analfabeti katundar, madje edhe me qëllime tendencioze, që merr për sipër gjithë barrën e luftës e, në të vërtetë, nuk ka lënë asnjë gjurmë në të me përjashtim pas saj me praninë në Luftën e Vrasës (ku e pat marr Hamz Rexhepi, prijësi i atij grupi, për ta shpëtuar me një numër pollogas e lumjanë. Po të ishin të vërteta ato që thotë Xhela dhe i jehon z. Halit Elshani, ai do t’u referohej jo veç shkrimeve të Neshat dhe Essat Bilalit për luftën, por edhe  ndonjë dëshmitari tjetër, të cilët kanë ekzistuar mu në Belgjikë (Adem Gjanaj, Liege; Zenel Çejku, Bruxelles; z. Sabri Çejku, Prizren; z. Neshat Bilali, Amerikë; z. Emër Kolgjini, Suedi (të gjithë pjesëmarrës nëpër lufta kundër pushtuesit serbo-maqedon), për të cilët Xhela ka ditur shumë mirë. Por ai nuk ka qenë i sinqertë ose z. Halit Elshani, duke dhunuar historinë, mbase kanë pritur që të vdesin disa që të mos mundë të flasin kur Xhela e Halit Elshani ta konstruktojnë atë sipas qejfit të tyre, për të konstruktuar një histori të paqenë që ka bejën për dëshmi “pasha këta dy sy” në vend të faktit, të dokumentacionit dhe dëshmitarit, për ta bërë konstrukcionet të besueshme…
Pastaj ai shton një sajim fund e krye të pa qenë: “e kanë lëshue këtë rezistencë me Muharrem Bajraktarin dhe e kanë lënë vetëm, ama bash vetëm qetën e mbetur të kalishtës. Kjo është pasojë e varfërisë intelektuale. Kjo ndodhë vetëm te ne shqiptarët (sic)”. Si shumë të tjerë, ky medim, duke qenë pa lidhje kuptimore dhe i pambështetur, është jo veç i habitshëm, por edhe qesharak. Së pari, duhet pyetur se pse përzihet atdhetari i shquar Muharrem Bajraktari në këso historish, kur ai as nuk ka qenë në Pollog dhe as nuk ka luftuar për atë vend, me qenë se ai ka vepruar në Shqipërinë e 1913-tës. Përgjigjja mund të jetë që kjo ndodhë nga injoranca, por ka mundësi që të jetë edhe përpjekje për denigrim të tij, siç bën në librin e tij, sepse ai e ka luftuar fashizmin dhe nazizmin, komunizmin dhe serbizmin në Shqipëri dhe kështu disave u pengon lufta atdhetare e tij! Megjithatë, duhet vërë në dukje se vendin nuk e lëshuan ata që udhëhoqën luftën dhe dhanë jetën, si Xhemë Simnica nga të pabesët (pranverë 1945), Mefail Zajazi në pritën (verë vjeshtë 1945) dhe Hamz Rexhepi me lumjanë e pollogas në betejën e Vrasës tri ditëshe me me brigadat sllave

(dimër 1946), po e lëshuan ata që nuk u vranë dhe që nuk i kërkonte pushtuesi për t’i zhdukur si Xhelën…, sepse disa bashkëpunonin me OZN-ën, më vonë me UDB-ën dhe me Sigurimin si Xhela, armiqët e përbetuar të Qëndresës shqiptare. Së dyti, përmendet një e ashtuquajtur “qetë” e “kalishtës”. Emri fshatit Kalisht, pikërisht si Vrapçisht-i, Pallçisht-i, Debresh-i, Gjurgjovisht-i, është emër i përveçëm i gjinisë mashkullore. Këta lloj emrash mashkullorë e bëjnë shumësin me prapashtesën a. Por me që këta janë të përveçëm, nuk kanë shumës. Pra, emri i fshatit “ Kalishtës” “Kalishta” është shkruar gabimisht në shumës. Ai duhet të shkruhet Kalisht-i. Ai pastaj e shkruan edhe emrin e “komandantit” të çetës tjetër që sajoi, gjelë, në vend të Xhelë-a ose Xhelil-i, emra të gjinisë femërore ose mashkullore. Kështu siç e shkruan z. Elshani atë, po t’i hiqet ë-ja, ai bëhet gjel, babai i pulës, në vend të Xhelë-a…. Kjo është një ndër treguesit se z. Halit Elshani nuk ka lidhje me visin e Pollogut, por shkruan përralla dhe mendon se janë të vërteta pa i konfirmuar për vërtetësi. Po ashtu duhet vërë në dukje se z. Halit Elshani akuzon të tjerët për përdorime a priori, por vetë e ka mendjen përplot me sajime a priorioristike. Kjo shihet qartë kur bën fjalë për një farë “qete” (tani duket se e la atë çetën e paqenë të Gostivarit (sepse atje nuk kishte një, por disa) dhe doli me një çetë tjetër të paqenë të Kalishtit…), të cilën e quan “qetë” (lexuesi e përzien këtë me shumësin e kaut, qetë) të fshatit Kalisht. Këto pështjellime dhe falsifikime janë të ngjashme me ato në librin e tij. Ne që i njohim ato vende, e shpallim me gjithë ndërgjegjen tonë njerëzore, atdhetare dhe intelektuale që në ish-fshatin tonë Kalisht i Gostivarit (ku kam qëndruar gjer në vitin 1951 pas internimit dhe e kam pasë vizituar gjer më 1959 dhe pas zhdukjes së bishës shoveniste komuniste sllave), nuk ka pasur çetë kurrën e kurrës të Kalishtit (Shkoni atje. z. Halit Elshani, dhe pyetni çdo kalishtas të moshuar!), ndonëse fshati ka qenë përkrahës i Qëndrrsës, pikërisht i Hamz Rexhepit me çetën e tij… Megjithatë, vlenë të shënohet fakti se Kalishti gjatë luftës ka dhënë dy dëshmorë, njëri Hajvazi (duke e lënë bashkëshorten me fëmijë të mitur), që u vra në luftë kundër pushtuesit serbo-maqedon; tjetëri Ramizi, i cili gjithashtu u vra kundër pushtuesve serbo-maqedonë. Kurse me rastin e terrorit të pushtuesit në Kalisht u pushkatua një tjetër te xhamia e fshatit lidhur me ngjarjen e Lokë Llokovicës (Po axhës Hajrullah dhe djalit të Xhelës nuk u ndodhi gjë, as kur kishte ujë përroi, as kur nuk kishte, për të bluar ndonjë kokërr misër). Por në Kalisht ka pasë qëndruar për një kohë çeta e Hamz Rexhepit (më kujtohet kah fundi i verës së vitit 1943 u takua Xhemë Simnica me Hamz Rexhepin në do livadhe mu përmbi Negotinë dhe nën Kalisht…) gjer kurë u zhvendos në Pozharan, një fshat shkiesh dhe shqiptarësh afër Kalishtit. Nëse mendohet, si në libër, se kjo çetë ka qenë e Xhelë Xhelilit, ajo gjithashtu jo vtëm nuk qendron, por është falsifikim i çmendur i historisë dhe marrëzi e shekullit. Sepse Xhela në atë kohë kur zhvillohej lufta, 1941-1946 jo vetëm ishte i ri, por nuk ka qenë fare në shpatull të pulës, sepse të ishe dikush në atë kohë nuk ka qenë punë e vogël, me që duhej të ishe afirmuar, të kishte bërë diçka për të mirën e përgjithëshme, të kishe ekonomomi për të paguar ushqimin, duhanin, armatimin… Posë kësaj ai u muar me punët e tija për vrasjen e bostanxhiut të ngratë (20.08.1942), u burgos më 26 shkurt 1944, kur ziente lufta dhe u aratis nga burgu më 31 07 1944, pra, atëherë kur lufta mbaroi (Shih FOND 1 Prvo Stepen Sud. Tetovo l942 – 1844, regist. Nr. 229). Si i këtillë, Xhela nuk ka qenë as pjesëtar i thjeshtë i luftës. Pas daljes nga burgu, Xhelë Xhelili ngel i aratisur (Më kujtohet qëndrimi i tij në Kalisht te pojata e Nijaziut mbi shtëpi të Rrahman Qehajës.!”), pra, jo për atdhetari, por për krimin që bëri. Me kërkesë të Rrahman Qehajës, fill pas daljes nga burgu, Hamz Rexhepi e përcolli me njerëzit e tij për në Lumë për të humbur gjurmë dhe për të ruajtur fytyrë… I referuar nga Rrahman Qehaja gjithashtu, Xhela gjindej ndonjëherë në çetën e Hamz Rexhepit. Kurë luftoi, pra, Xhela? Këtë e di vetëm z. Halit Elshani me a prioret e tij!
Në faqen 248 të librit të tij z. H. Elshani, me titull të rremë “Çeta e Gostivarit”, ku pasi përmend autorizimin që i paska dhënë “trimi” Xhelë, shton: “Unë e kam kryer një detyrim me gjelën. Shih vendimin në faqen 248. Ai shquhej për nga vërtetësia, sinqeriteti dhe nga mbamendja e shkëlqyer edhe pse ishte në moshë të shtyer (sic)”. Ne nuk duam të spekulojmë për integritetin e Xhelë Xhelilit në përgjithësi, ndonëse e njohim mirë, por sa u përket deklarimeve të tij në libër, që nuk i paraqet në thonjëza z. Halit Elshani, mund të thomi se ato nuk qendrojnë. Prandaj pyesim se ku e dini juve, z. Halit Elshani, se ato janë të atilla, kur nuk ka haber për historinë e Pollogut?! Kush i vërteton këto?! Xhela duke bërë be “pasha këto dy sy” dhe Halit Elshani naiv e pa fije ndërgjegjeje kritike historike? Ne (z. Neshat Bilali) që kemi qenë në lufta me Xhemë Simnicën, Mefail Zajazin, Hamz Rexhepin dhe të tjerë, jo vetëm nuk i vërtetojmë ato, por i hedhim poshtë si pohime a priori përbetuese për të fallsifikuar historinë heroike të popullit të Pollogut. Xhela, po qe se ka pak ndjeshmëri njerëzore dhe burrëri të Kalishtit, tani që dihen punët mirë, duhet ta vërë dorën në zemër dhe t’u kërkojë falje atyre trimave atdhetarë dhe mbarë popullit të Pollogut martir që jo veç vuajti, jo veç u përndoq, jo veç u burgos dhe u internuan (ku ishin të Xhelës, babë e bir…?), por edhe vdiqën nëpër lufta duke iu bindur ligjeve të atdheut “si me le….”! Po këtë duhet ta bëjë edhe z. Halit Elshani, nëse ai sado pak që të ketë ndjeshmërinë e shkrimtarit ose të studjuesit, jehuesi i konstrukcioneve të Xhelës!
Neshat Bilali, veteran i luftës dhe Esat Bilali, Sr. Sc.
Qershor 2011, USA