LUFTA E MALIT TË THATË TË PËRMBI SHKUPIT

Dalloja të përgjithëshme
Lufta e Malit të Thatë të përmbi Shkupit, e bërë kundër pushtuesve serbo-maqedonë, asht njana ndër luftat ma të rrepta që asht ba në Pollog. Ajo u organizue në rrethana të veçanta, për çfarë u parapa që të marrin pjesë jo vetëm krenët kryesor të qëndresës së Pollogut me forcat e tyne, por dhe me masat e popullit. Për atë u banë përgaditje të mira, tue mbledhë një numër të konsiderueshëm luftëtarësh, të cilët ishin gati të vdesin kundër anmikut të ri pushtues serbo-maqedon. Kjo u provue në luftimet që zhvilloi qëndresa shqiptare, kështu që anmiku jo vetëm nuk mundi t’u qëndrojë atyne, por u detyrue të tërhiqet me humbje të rënda.

Të dhënat për Luftën e Malit të Thatë

Për Luftën në Mal të Thatë të përmbi Shkupit, me sa di, asht folë shumë, por asht shkrue pak. Nji përpjekje të çiltërt kanë ba dy studjuesit nga Kosova, Ali Llunji dhe Ilaz Mata, në të ashtuquejtunën monografi “Xhemë Simnica”, Tiranë, 2001. Ndonëse këta studjues janë intelektualë, tue u mungue të dhanat, tue mos qenë pjesëmarrës dhe tue mos u mbështetë në dëshmitarët autentikë, po në disa që duket se nuk kanë qenë pjesëmarrës, tue mos u mbështetë në ndonji dokumet, nuk kanë mund të sqarojnë pothuejse asgja për atë luftë, për të cilën flitet në faqen 117-120. Aty përmendet nji luftë në pranverë 1943, kur ende ishte vendi nën pushtimin italian dhe flitet se si Xhemë Simnicën i kanë sulmue divizionet bullgare, gja që kurrë nuk ka ndodhë, por Xhema gjithënji i ka pasë sulmue forcat sllave serbo-maqedone. Përmendet Llazaropoli, pa ndonjë imtësi. Përmendet vetëm emni i Xhemë Simnicës, që e dishin edhe foshnjet dhe askush tjetër. Por përmendet fjala “at mëngjes”, gja që ashtë e vërtetë. Po ashtu shënohet vjeshta e vitit 1944, jo tetori kur ndodhi ngjarja. Flitet për vendin e vdeshun nga drutë dhe për gurët dhe për anmikun frikacak....Si pasojë, ky lloj informacioni i shkapërderdhun dhe pa lidhje me zhvillimin e luftës, që nuk ka ngjarja as fillim, as zhvillim dhe as mbarim, jo vetëm nuk sqaron gjë, mbase edhe për shkaqe tendencioze të injorantëve, por asesi nuk asht bindëse... Prandaj, në saje të dëshmitarëve pjesëmarrës me të cilët kam qendrue gjatë: Bajram Dobërdollin, Elmaz Çejun, Adem Gjanën dhe të tjerë, tue përfshi edhe Hamz Rexhepin, ndonëse ai nuk fliste për veten, dhe në saje të nji letre që ka lanë si dëshmi pjesëmarësi Adem Gjana, po e rikonstruktoj, ndonëse pjesënisht, atë që ka lidhje me Hamz Rexhepin, Luftën e Malit të Thatë të përmbi Shlupit.

Hymje
Në Lumë, mrenda një kohe dhe sidomos gjatë gushtit 1944, u grumbulluen shumë forca komuniste, për shkak se ishte si zonë e lirë kundër fashisto-naziste, për shkak se baheshin përpjekje për të shkarrue dhe zhdukë Muharrem Bajraktarin dhe për shkak se e ndjeshin veten më të sigurtë. Me partizanët komunistë të Shqipënisë kishte edhe partizanë komunistë nga Kosova – shqiptarë dhe serbë.
Por me ngjarjet që u zhvilluan në Lumë, tue fillue me goditjen prapa shpine ndaj Muharrem Bajraktarit, me luftimet kundër partizane të lusjanëve në Kolesjan dhe Lusën me katunde të tjera dhe me terrorin partizan pastaj në Lusën e sidomos me kërmishin në Buzëmadhe dhe në Novosej, tue përfshi edhe operacionin partizan të komunistit serbofil Kadri Hazbiut kah fundi i shtatorit 1944 për të zhdukë Hamz Rexhepin, sigurisht se të shtymë edhe nga serbo-maqedonët, do të shkojnë në Muzdaqe te stani i Islam Lushit, ku i pritën me pushkë luftëtarët e Hamzit, sidomos trimat Zenel dhe Elmaz Çejku. Luftimet zgjatën për nji kohë dhe përfunduen me hymjen e partizanëve në stan tue kërkue Hamzin, por u tërhoqën shpejt, sepse iu tha atyne se ka shkue me marrë forca dhe vjen shpejt, gja që bani të ikin komunistat, i cili vërtetë erdhi dhe i ndonoqi. Edhe ky operacion, me zanafillë nga Kolesjani i Lumës, nuk dështoi, se la të vrame vetëm disa dhen...! (Për ma gjatë shih: Esat Bilali “Kosovë – Tetovë, Gostivar, Kërçovë), 2001, Tiranë.
Në ndërkohë, një grup partizanësh që gjindej në viset e Dibrës - në Peshkopi (serbë, maqedonë dhe shqipfolës), të forcuem nga ndihmat e aleatëve, i sulmuen dhe i shkatrruen anmiqët e tyne atje. Këta mbasandaj filluen të lëvizin, sigurisht se të urdhënuem nga planifikuesit e tyne, grejt Pollogut. Tue udhëtue në atë drejtim gjatë natës, ajo forcë partizane kaloi nga Kalaja e Dodës, Çajë, Vrasë e Vogël, nëpër bjeshkën e Kuqibabës, nëpër Pozhoran, në mes Toplicës e Dobërdollit, pranë Çegranit, në Mal të Thatë dhe u vendos diku afër fshatit Koritë.
Krimet e komunistëve në Lumë, (të cilat i kishin prekë drejtëpërdrejti disa luftëtarë të Hamzit), përpjekja për të zhdukë Hamz Rexhepin në Muzdaqe, kalimi gjatë natës i tyne nëpër Pollog, madje mu pranë shtëpisë ku banonte Hamz Rexhepi në Pozhoran (më kujtohen gjurmët e kuajve para shtëpisë në Pozhoran në rrugën që çon për Toplicë, jo vetëm e idhnuen shumë Hamz Rexhepin, por edhe e nevrikosën bashkë me popullin e Pollogut, i cili kërcënohej drejtpërdrejti. Prandaj, ai u përpoq me mish e me shpirtë për me organizue nji fushatë për shkatrrimin e tyne, sikur që bajshin edhe me partizanët tjerë kur merrshin vesht se ku gjindeshin. Këtë ide ua tregoi Hamzi jo vetëm Xhemë Simicës dhe Mefail Zajazit, bashkëluftëtarëve të tij, por edhe shumë krerëve të tjerë të vendit, të cilët e përkrahën me vendosmëni për me luftue nji anmik që i kërcënonte levërditë e tyne dhe të kombit... .Data dhe koha  e sulmit u caktue. Po ashtu edhe ora: heret në mëngjes, në befasi..

Përhapja e kushtrimit
Kushtrimi u përhap nëpër shumë katunde, sidomos në Kalisht,, Dobërdoll. Llomnicë, Gjurgjovisht, Negotinë, Senakos, Toplicë Vrapçisht dhe të tjera. Nji numër vullnetarësh u lajmëruen, tue ba nji forcë të madhe luftëtarësh. Por ma së shumëti luftëtarë pati nga Çegrani, si katund i madh që ishte. Sigurisht se nuk kanë mungue edhe ata nga Korita dhe fshatra të tjera për qark.
Unë nuk kam marrë pjesë në luftën e Malit të Thatë, sepse më la Hamz Rexhepi të kujdesem për shtëpinë dhe të mos vritemi të gjithë, me qenë se tashma nuk kishte siguri. Po që nga fillimi i përgaditjeve kam qenë i informuem, jo shumë nga Hamzi, se ai nuk fliste për të, po nga lajmi kur u përhap për vrasjen e tij, po ashtu edhe nga disa luftëtarë pjesëmarrës të çetës së ngushtë të Hamzit, si Elmaz Çejku, Elez Dauti, Hasan Tosuni, Adem Gjana, Bajram Dobërdolli dhe të tjerë.

Zhvillimi i luftës
Lajmet ishin përhapë që forcat serbo-maqedone me disa vegla shqiptare ishin vendosë në fshatin Koritë ose aty afër. Prandaj ato duhej të shkarroheshin. Hamz Rexhepi “... e cila luftë asht kryesue prej tij” (Adem Gjana pjesëmarrës: “Letra”, 13.VII, 1966), tue i pri çetës dhe kontingjentit me Bajram Dobërdollin, Izet Dobërdollin, së cilës gjatë rrugës i bashkohen edhe luftëtarë nga katundi i madh Çegran, madje nji numër i madh, me siguri ka pasë edhe nga Korita, shkon drejt në atë katund. Por atje nuk i gjen partizanët serbo-maqedonë. U thuhet atyne që hoxha i katundit e di vendin se ku janë vendosë partizanët serbo-maqedonë. Por edhe në vendin e caktuem prej hoxhës ata nuk gjinden. Tue kërkue andej dhe këndej, papritmmas, e nënvizoj, papritmas, qendresa shqiptare e heton vendin ku ishte vendosë anmiku. Prandaj menjiherë shpërndahen tue i zanë pusitë dhe, pa humbë kohë, sulmi i befasishëm, siç e ka pasë zakon Hamzi, fillon heret në atë mëgjes të tetorit të vitit 1944, “... se luftën ma parë e ka fillue Hamzi”, tue u turrë kundër partizanëve serbo-maqedonë, thotë pjesëmarrësi Adem Gjana (Letra: 13.VII. 1966), me zjam e zhurmë të furishme. Këasj, edhe në atë çast të befasishëm, partizanët serbo-maqedonë, me armatimin e tyne të shumllojshëm dhe me urrejtjen raciste kundërshqiptare, turren me tërbim e forcë shkatrruese, tue prodhue zjarm e tym të tmershëm me pushkë, mitroloza, murtaja dhe bomba. Zjarmi i rreptë vazhdon me tërbim dhe paraqitet jo vetëm kërcënues, por edhe i rrezikshëm, sikur që tregojshin pjesëmarrësit. Por kjo furi nuk i tremb luftëtarët shqiptarë, të cilët iu kundërvunë me më guxim, me pushkë, me mitroloz e me bomba. Tue vazhdue kështu luftimet, u përdorën edhe “ndërkambësa”. Në nji çast, Hamzi ia sheshon kësulën anmikut, thonte luftëtari pjesëmarrës Adem Gjana, të cilën e vrasin anmiqët dhe turren përpara, tue mendue se e kanë shue atë votër të qëndresës shqiptare. Por luftëtarët e qëndresës trima e të vendosun e presin me guxim sulmin jo vetëm tue e ndalue hovin shkatrrues të tyne, por edhe tue i vra. Në këtë rrethanë, në rradhët e luftëtarëve tanë përhapet fjala se asht vra Hamz Rexhepi, e cila në atë ditë Bajrami shkon fill te familja e tij nga ndonjë i ikun nga lufta. Prandej disa e lëshojnë luftën dhe fillojnë të tërhiqen. Por shpejt merret vesht që Hamz Rexhepi nuk ishte vra dhe luftëtarët fillojnë të kthehen prapë, tue hy në luftime me guxim e vendosmëni. Ndërkaq forca e partizanëve serbo-maqedonë fillon të zbehet. Në këto çaste arrinë edhe Xhemë Simnica (Unë e kam përshkrue ma së shumëti luftën që asht zhvillue në krahun ku ishte Hamz Rexhepi me çetën e tij dhe me forca të tjera vullnetare, jo atë në krahun pas ardhjes së Xhemës me forcat tjera, meqenëse unë nuk i di të veçantat e atyne luftimeve...), me forcat e tij të shumëta (Pritej që edhe Mefail Zajazi të marrë pjesë, por ai nuk erdhi, sepse i kishin dalë telashe në vendin e tij). Tue u shpeshtue zjarri i luftëtarëve të shqiptarëve, forcat serbo-maqedone komuniste fillojnë ta humbin hovin edhe ma shum. Sa më shumë që rritej tashmë zjarri me ardhjen e Xhemës, aq më shum zvoglohej hovi i anmikut sllav komunist. Me kalimin e kohës, mbas shumë humbjesh, komunistët serbo-maqedonë filluen të tërhiqen. Pjesëmarrësi Adem Gjana thotë: “... por ma me ransi shum për Hamzin janë Lufta në Sogore (Mali i Thatë – nb), dmth. shpartallimi i shtapit komunist në Poreçe...”, (letra 13.VII.1966, Liezhë, Belgjikë). Se çfarë humbjesh ka pasë anmiku, nuk dihet me saktësi, po e vërteta është se ata nuk mundën t’i qëndrojnë zjarmit shkatrrues të shqiptarëve. Kjo pjesë e forcave serbo-maqedone, tue u rinovue me forca të reja nga Prilepi e tjera, duket se ka shkue për të pushtue tashma Kërçovën, por së pari Zajazin dhe pastaj, pasi e shkatrruen këtë, e sulmuen Kërçovën në nandor 1944, të cilën shumë lehtë e pushtuen...

Përfundim
Simbas pjesëmarrësit Adem Gjanës, forcat shqiptare jo vetëm i qëndruen forcës serbo madedone, por edhe e shkarruen atë, mbetjet e së cilës u tërhoqën. Nuk don mend se nga ana e anmikut ka pasë të vramë. Por po ashtu ka pasë të vramë edhe nga ana e jonë. Njani nga këta, që ishte në kampin e Hamzit, ka qenë Izet Dobërdolli, (mik i ngushtë i tij, te shtëpia e të cilit shhkojshim si në shtëpinë tonë). Nji tjetçr ka qenë Ramiz Media i Kalishtit dhe disa tjerë, të cilëve nuk ua di emnat.
Neshat Bilali, veteran i luftës
Gusht, 2012, ShBA

Çlirimi i Kërçovës dhe pushtimi i saj pastaj prape nga pushtiesi serbo-maqedon në nandor 1944

Me kapitulimin e pushtuesit fashist italaian në shator 1943, një gjendje e re, si kudo në viset shqiptare, u sajue në viset shqiptare të Tetovës dhe të Gostivarit. Forcat partizane serbo-maqedone, ndonëse ende të dobëta, filluen të dalin në shesh, të cilat përpiqeshin të vendosin sundimin e tyne në vende të ndryshme shqiptare. Kështu, nji grup partizanësh me disa kamiona erdhi nga Dibra e Madhe për të marrë në dorë qytetin e Gostivarit. Kjo shkaktoi alarm dhe forca të ndryshme të Qëndresës u aktivizuen me armë dhe pa to kundlr këtyne. Ndër këta dalloheshin Xhemë Simnica me çetën e tij të ngushtë dhe me një mori ndjekësish dhe Hamz Rexhepi me çetën e tij dhe të tjerë nga ana e ndikimit të tij, në të cilën vepronte gjithënji edhe Bajram Dobërdolli, vëllamë i Hamzit. Sigurisht se kishte edhe të tjerë si Haqif Reçani dhe të tjerë... Shpejt nji pritë u vu në Reven, karshi Reçanit. Këto jo vetëm e ndaluen përparimin e atyre partizanëve sllav drejt Gostivarit, por edhe u kërkuen atyne që të shkojnë nga kanë ardhë, nëqoftëse duen që të mos derdhet gjak, sepse asesi nuk do të lejojmë të udhëtoni drejt Gostivarit. Tue e pa vendosmëninë e Qëndresës, ato u detyruen të kthehen nga kishin ardhë. Po në këtë kohë forcat partizane serbo-maqedono me disa vegla të tyne shqiptare pushtuen Kërçovën, mbase andaj nga tetori 1943.
Tue qenë të ballafaquem me këtë gjendje të re, Xhema, Hamzi dhe prijës të tjerë vendosën që të bahet nji mbledhje në Gostivar për me bisedue se çka të bahet me çashtjen e pushtimit të Kërçovës nga forcat partizane serbo-maqedone. Si pasojë, vendosën që të luftojnë dhe ta çlirojnë Kërçovën. U caktue dita dhe u kthyem nëpër vendet tona për të mbledhë luftëtarë nga Gostivari me rrethinë, numëri i të cilëve mbase arriti përmbi 200.
Kur erdhi dita e caktueme, u mblodhëm dhe hipëm në një tren të vogël në Gostivar, i cili na çoi deri në Simnicë, meqenëse nuk kishte fuqi për të shkue ma tutje. Aty u shpërndamë nëpër fshat ku bujtëm nji natë. Mbasandej shkuem afër Kërçovës dhe pamë, tue shikue me dylbi, ku partizanët kishin vu nji farë kufini. Ndërkaq, u vendos që ata të sulmohen. Luftimet vazhduen për një kohë dhe forcat partizane serbo-maqedone humbën si shurra e pulës. Pastaj u kthyem vonë në Zajaz, ku bujtëm atë natë dhe nji natë tjetër. (Këtu vlenë të shënohet se gjatë këtyne luftimeve ishte kapë nji partizan, të cilin ia dorëzojnë Xhemës. Ky donte ta pushkatonte partizanin. Por Hamzi nuk e lejoi, sepse ai kishte qenë një komunist i quejtun Ymer Domi nga fshati i Muharrem Bajraktarit, shënon pjesëmarrësi i çetës së Hamz Rexhepit, Adem Gjana, shih Neshat Bilali, “Rindëetimi i historikut të Pollogut, 1941-1946, Prishtinë, 2012).
Po me qenëse nuk kishte fije organizimi atje për të luftue pushtuesin e ri serbo-maqedon, u mbajtë një mbledhje te xhamia e fshatit Zajaz, ku u kërkue nji njeri që kishte mundësi me udhëheqë popullin. U tha se është një Mafail Shehu, i cili ishte caktue nga pushtuesi si roje në kufinin me Bullgari, me që kishte pasë ditë pak italisht (Se ku kishte mësue italisht, nji Zot e di dhe unë gjatë kohës që Mafaili ishte me Hamzin, kurrë nuk e kam pasë pyet se ku kishte mësue atë gjuhë). Mefaili erdhi dhe mori për sipër për t’i pri atij populli. Bashkë me forcat që mblodhi ai, e sulmuem qytetin e Kërçovës. Atje qëndruem edhe nji natë dhe pastaj u kthyem në Gostivar.
Në verën e vitit 1944, Mefail Zajazi kishte vendosë të bëjë disa operacione në do fshatra të banueme nga sllavo-maqedonas, emni i të cilëve nuk më kujtohet, por mbaj mend se ishte nji vis diku në krahun e majtë të rrugës që çon ne Strugë, jo shumë larg nga qyteti i Kërçovës. Për këto operacione ishte lajmërue edhe Xhema edhe Hamzi. Prandaj Hamzi vendosi të shkonte atje nga ana e Mavrovës dhe Xhema drejt atje nga Gostivari. Me nji numër vullnetarësh, u nisëm për në Mavrovë. Kur mbërritëm atje, u takuem me disa që kishin ardhë nga Reka, ku dallohej nji Hatip Xhemali. Tue vazhdue rrugën, kaluem Bistrat dhe muerëm drejtim për në Llazaropol. Pasi bamë spastrimin e Llazaropolit gjatë na dy ditëve (shih..), muerëm drejtimin për me shkue në Kërçovë me u bashkue me forcat e Mefaili, vendin e saktë të oepracioneve të tij nuk e dishim. Por kur iu afruem Kërçovës, pamë nji vis që dilte tym, gjë që e muerëm me mend se atje ishte Mefaili dhe, kur iu afruem vendit, takuem Mefailin me forcat e tij. Aty mësuem se Xhema nuk kishte ardhë këtë herë. Atë natë bujtëm aty dhe në mëngjes i sulmuem partizanët serbo-maqedonë me veglat e tyne shqiptare. Mbas spastrimeve të partizanëve, bujtëm edhe nji natë aty me Mefailin dhe mbasandej u kthyem në Gostivar, tue u shpërnda nëpër shtëpiat tona.....
 Mbas kësaj ngjarjeje, Kërçova qëndroi në duert e shqiptarëve deri kah fundi i vjetit 1944, ndonëse sulmohej shpesh nga forcat pushtuese serbo-maqedone, por Mefail Zajazi me popullin e asaj ane nuk e lejoi qytetin të bjerë nën pushtimin serbo-maqedon. Ma në fund, forcat pushtuese serbo-maqedone, të cilat shpëtuan nga lufta e Malit të Thatë, shkuen me e pushtue Kërçovën. Por tash ata do të përdorin nji taktikë të re. Në vend që ta sulmoshin Këreçovën, ata sulmuen Zajazin, të cilin e shkatrruen dhe kah fundi i nandorit 1944 e pushtuen edhe Kërçovën, tregonte Mefail Zajazi kur e mori Hamz Rexhepi nga Negotina dhe shkuan në Lumë dhe, ku qendruen gjatë dimnit dhe pranverës 1944-1955  dhe pastaj në në verë në malet e Kalishtit
Mbas kësaj kohe, nji brigadë partizanësh shqiptarë, mbasi shkatrroi forcat e Halil Alisë në Dibër, udhëtoi nëpër Pollog, ngjarje që bani ta diskurajojë Qendresën e matejëshme shqiptare kundër serbo-maqedone.
 Neshat Bilali, veteran i luftës
Gusht, 2012, SHBA

FUSHATA E LLAZAROPOLIT

Pas kapitullimit të pushtuesit italian më shtator 1943, shovenistët serbo-maqedonë filluan të dalin në shesh, duke u paraqitur si kërcënues në shumë vise të Pollogut shqiptar. Njëri ndër këta ishte edhe fshati i Llazaropolit. Prandaj ishte paraparë që këto çerdhe shoveniste të shkatrroheshin si votra të rrezikëshme për levërditë kombëtare.
Në një fshat maqedon. që quhej Llazaropol, flitej që kishte një aktivitet komunist, i culi shihej si i rrezikshëm. Prandaj ajo çerdhe sshoveniste kundërshqiptare duhej të shkatrrohej. Pa humbë kohë, Hamz Rexhepi filloi të përgaditet për një fushatë të tillë. Ai me çetën e tij dhe nji numër vullnetarësh pollogas, ku merr pjesë edhe vëllau i tij, Dostan Rexhepi, me ndonjë luftëtar nga Luma, Bajram Dobërdolli me vëllaun e tij dhe një numër luftëtarësh pollogas, mendonin të niseshin për në Llazaropol, kur Mefail Zajazi kishte vendosë të ndërmerrte disa operacione në disa katunde maqedonase rreth Kërçovës. (Shih. Çlirimi i Kërçovës...). Prandaj ai kërkon ndihmën e Xhemë Simnicës dhe të Hamz Rexhepit.
Kësaj sikur i thonë një rrugë dhe dy punë. Prandaj u nisëm për në Llazaropol më tetor, 1944 dhe mbasandj kishim ndërmend të shkojmë në Kërçovë. Kur mbërritëm në Mavrovë, ndeshëm në një disa njerëzish nga visi dhe nga Luma, me të cilët dallohej Bafti Reka dhe Han Kotarja. Nga dëshira për të ba kallaballëk, këta i pranoi Hamzi dhe vazhduem rrugën për në Llazaropol.
Tue udhëtue drejt Llazaropolit, diku në afërsi të fshatit, u gjuajtë njani me pushkë nga larg që ishte kaluar, që ndodhi të jetë Dostan Rexhepi, vëlla i Hamz Rexhepit, dhe kështu luftimet filluen, thonte pjesëmarrësi Hatip Xhemaili nga Reka (intervista, dhetor, 1976 në Amerikë). Menjiherë u shpërndamë dhe sulmuem, konfirmon edhe pjesëmarrësi Neshat Bilali. Mbas luftimesh për një kohë, shkijet partizanë u yhdukën dhe ne hymë në Llazaropol, ku qendruem nji natë, thotë Neshat Bilali, bir i Hamz Rexhepit. Por gjatë natës disa njerëz, sidomos ata që kishin ardhë për plaçkë, i kishin hy Llazaropolit prapë e mbarë... Të nesërmen në mëngjes, Hamzi u lajmërue për këtë gjendje të mbrapshtë atje ku ne me disa rrishim në një livadh, i cili u thotë atyre që të ndahen prej nesh dhe të shkojnë nga të duen, të cilët bënë ashtu, tue shkue me Hatip Rekën për në fshatrat e Rekës, kurse ne u nisëm për në Kërçovë për t’i shkue në ndihëm Mefail Zajazit në fushatën kundër serbo-maqedone që kishte ndërmarrë (Shih “Çlirimi i Kërçovës...”).
Për këtë fushatë, pos dëshmive të dy të përmendurve ma nalt, ka një dëshmi të shkrueme nga pjeslmarrësi Adem Gjana, normalist i Elbasanit dhe pjesëtar i çetës së Hamz Rexhepit. Ai, ndër të tjera, thotë për fushatën e Llazaropolit: “E dyta me randësi asht Lufta e Llazaropolit ku edhe atje forcat janë kryesue prej Hamzit, në at rast pa marrë pjesë as Xhema, as Mefaili dhe lufta pat sukses, dmth. komunistat u hkatrruen e prej nesh pa u damtue kërkush fare (Adem Gjana, “Letra nga Liezha”, Belgjikë, 13. V11. 1966).
Shënim: Për fushatën e Llazaropolit, me sa dihet, nuk është shkruar. Kjo përmendet vetëm në faqen 117 të librit “Xhemë Gostivari, monografi” të dy studjueve kosovarë Ali Llunji dhe Ilaz Metaj, botuar më 2001 në Tiranë. Duke mos u dhënë anjë specifikë dhe duke u dhënë data e ndodhjes së saj gabimisht “pranverë 1943”, kur vendi ishte ende nën pushtimin fashist italian, duket se “dëshmitarët” nuk kanë ditur gjë për të ose nuk kanë shkuar më tej për shkak se atë nuk e kanë sajuar dhe ndërmarrë njerëzit që ata i kanë dashur. Prandaj kjo nuk përbën histori, se më lere  histori objektive, për të mos thënë se është marrëzi...

Neshat Bilali, veteran i luftës
Gusht 20012, ShBA.


Si iu bashkue Sherif Xhelina çetës së Hamëz Rexhepit?

Këto kohët e fundit janë ba disa shkrime për një Sherif Xhelinën. Ato nuk mbështeten në fakte të kohës dhe në rrethanë. Kjo gjendje më nxiti që t’i thom disa fjalë, mbasi askush nuk e ka njoftë ma mirë se unë Sherif Xhelinën.

Ishte koha kur pushtuesi italian konsiderohej “çlirimtar” në Pollogun shqiptar, në krahasim me pushtuesin e egër racist serb. Për këtë në viset e Pollogut nuk kishte të aratisur, me përjashtim të Hamz Rexhepit si kundërshtar i pushtuesit italian dhe të Sherif Xhelinës si njeri i mbrapështinave dhe si rebel kundër shkijeve.

(Kur e thom fjalen na, kjo don të thotë se flas për Hamëz Rexhepin, sepse kam qenë pothuejse gjithënji pranë tij gjatë periudhës 1941-1946).

Për këso shkaqesh, mbase edhe kundër pushtuesit italin, Sherifi Xhelina ishte i aratisun në anën e Tetovës. Ai ishte i vetmuem. Prandaj kishte kërkue me u takue me Hamëz Rexhepin. Ne nuk dishim shumë për të. Megjithatë, Hamëzi i dërgoi fjalë që të vinte dhe i caktojë vendin se ku të paraqitej për t’u bashkue me ne. Sherifi erdhi dhe u bashkue me ne. Kjo kohë ishte nga fundi i muejit shtatore 1942. Në këtë kohë, na ishim tue u përgaditë me shkue në Lumë për me kalue dimnin 1942-1943. Kur erdhi dita e caktume me u nisë për në Lumë, Hamezi vendosi ta marrë me vete edhe Sherifin, sepse ai ishte i ri dhe nuk dinte me ba kaçakllëjk. Sharifi erdhi me ne në Lumë dhe me këtë raset takoi dhe Muharrem Bajraktari, kreun e Qëndresës kundër fashiste në Lumë, Dostan Rexhepin dhe shum te aratisun të tjerë, bashkë me shum persona që na strehojshin neve. Atje qëndruem tanë dimnin, ma së shumëti në visin e Lumës që quhet Dollovisht.

Në mars të vjetit 1943, Hamëzi u kthye në Gostivar me ne që përbaaheshim prej nja 10 vetësh dhe me Sherifin. Me atë rast, ne zumë vend në nji fshat që quhet Gorjan. Tashma pushtuesi italian kishte fillue me u dobësue dhe shpërndarje e tij ishte rrallue. Aty në fshat na filluem me lëvizë lirishet. Për këtë u alarmue vendi dhe mbasandej u përhap lajmi se në bokat poshtë permbi Gradec kanë parë se kanë ardhë karabinerë italjanë. Për këtë na dolëm dhe i zumë pozicionet. Pas pak kohe filluen luftimet, të cilat i detyruen karabinerët të tërhiqen të fshatit Gradec. Po ata nuk hoqën dorë nga luftimet, sepse hypën në minaren e xhamisë dhe filluan të qellojnë me armë në drejtim ku ishim ne. Kjo perleshje vazhdoi deri në mbramje dhe na u larguem, tue shkue kah Gjurgjovishti (Djali i Shashivar Qerimit nga Gjurgjovishti, Hafuzi, i thotë Esatit më 2 001 kur qe atje se e kam pa Neshatin kur ka ardhë këtu nga luftimet e Gorjanit) për në Kalisht, ku ramë ne kontaket me Rahman Qehajën e Kalishtit. Vlen të shënohet se përleshjet e Gradec-Gorjanit shënojnë pushkët e parë kundër pushtuesit fashist italian në Pollog, të cilat jehuen me ushëtimë duke i dhënë hov dhe duke e popullarizuar Hamz Rexhepin në Pollog.

Në ndërkohë, kishim ndigjue për një farë Xhemë Simnicën në Pollog. Prandaj Hamzi donte të dinte se kush ishte Xhemë Simnica, a ishte ai Xhema që në kohën e Zogut ka qenë i ikun nga Pollogu dhe shkue në Shqipni, së pari tue u vendosë për nji kohë si emigrant në Bicaj te Lumës, ku ishte njoftë me Hamz Rexhepin. Rrahmani e njoftoi Hamëzin se ky ishte po ai Xhema që ka pasë jetue në Bicaj. Prandaj Rrahmani u porosit që të shkojë dhe ta takojë Xhemën dhe t’i thotë që Hamëz Rexhepi don që të të takojë. Takimi u ba posht fshatit Kalisht në nji mbramje dhe aty filloi bashkëpunimi me Xhemën...

Sherifi Xhelina ishte në moshë të re, me trup pak si trashalek, me naltësi mesatar dhe me kësulë kosovare të bardhë në krye. Ai mbante kollanin me fishekë krahaqafës dhe ishte trim, por pa përvojë. Ai dallohej me mendjemadhësinë e tij dhe me sjelljen e çrregullueme. Prandaj, Hamëzi u përpoq ta mbante nën kontroll dhe diciplinë. Kështu vazhdoi për një kohë. Por kjo sjellje nuk i pëlqente Sherifit. Nji ditë ai kerkon që Hamëzi ta lejojonte për me shkue në Xhelinë me takue farë e fisin. Hamëzi u pajtua me kërkesën e tij. Por Sherifi shkoi dhe humbi për një kohë bukur të gjatë. Pastaj u mor vesht se kishte shkue në nji fshat tek nji fukara dhe ia kishte marrë vajzën në male me veti. Me ta mësue ketë mbrapështi, Hamzi i dergoi fjalë dhe i tha që mose të paraqitet ma në çetën e tij. Mbasandej Sherifi e kthen vajzën tek familja dhe shkon në Lumë për të humbë gjurmë, ku takon nja tre persona që i kishte njoftë gjatë kohës që kishte qëndrue në Lumë me Hamëzin herën e parë, të cilët i merr me vete dhe kthehet në anën e Tetovës, ku sillet verdallë andej e kendej tue vazhdue përvojën e tij. Mbas pak kohe, muerëm vesht se shkon dhe vendoset në nji fshat sllav karshi Jol1ovcës së eperme, emni i të cilit nuk po më kujtohet. Aty Sherifi zen vend në nji shtëpi dhe fillon me ba mbrapështina. Ndërkaq, alarmohet vendi. Atëherë Xhemë Simnica ishte i ngarkuem me mbajtë qetsinë në vend si nga paria po ashtu dhe nga autoritetet e vendit. Prandaj Xhema i dergon fjalë tue ia tërheqë vrejtjen për mbrapështitë e tija dhe i kërkon që të largohet nga andej, se nuk duem te na ndodhë ndonji gja jo e mirë. Sherifi i përgjigjet tue i thanë që mue më thonë Sherif Xhelina ... dhe vazhdon me mbrapështinat e tij. Ndonëse Xhema i jep nji farë afati që të largohet, ai nuk ndigjoi. Prandaj Xhema dergoi disa vullnetarë për ta arrestue Sherifin, i cili kundërshton dhe e vranë me gjithë njenin nga Luma, kurse dy të tjerët shpëtuen. Kjo qe jeta dhe vdekja e Sherif Xhelinës.

Neshat Hamz Bilali, veteran i luftës në Pollog dhe në Lumë
Më korrik, 2012, ShBA

0 comments:

Post a Comment